Televizioni 21 nga burime të tij mëson se një deputet i fraksionit të CDU-së, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ka deklaruar se Gjermania do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut për në BE, por është shprehur pesimist se vendi do të marrë datë për nisje të bisedimeve.
“Gjermania do të japë mbështetje për në BE, por vendim për datë të bisedimeve në qershor nuk do të ketë, sepse Evropa ka tema shumë më të rëndësishme. Ndoshta në tetor Këshilli i BE-së do të sjellë vendim të tillë për marrje të datës, nëse i bindni Francën dhe Holandën, por ajo datë do të binte në kalendarin e 2020-tës, dhe konferenca e parë ndërkombëtare e BE-së do të mbahej gjatë kohës kur Kroacia do të udhëhiqte me presidencën e BE-së. Bisedimet për anëtarësim do të zgjasnin rreth 9 vjet” u shpreh deputet i bundestagur Gjerman.
Dyshimet e deputetit shpjegojnë edhe arsyet e takimeve të zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani dhe Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov në Berlin. Kryediplomati Dimitrov ditë më parë brifoi pikërisht grupin e deputetëve për politikë të jashtme të CDU/CSU-së, parti së cilës i takon deputeti anonim. Në vazhdën e takimeve të tyre Osmani e Dimitrov u folën përfaqësuesve dhe deputetëve gjermanë për rezultatet e vendit në reforma dhe fqinjësi të mirë si formulë për hapjen e negociatave aderuese për në BE. Po ato ditë zëvendëskryeministri për çështje evropiane Osmani tha se s’ka asnjë dyshim që vendi meriton datë për bisedime, megjithatë sipas tij, duke qenë se Komisioni do ta publikojë raportin më 29 maj, parlamentet e Gjermanisë dhe Holandës do të kenë kohë të kufizuar që të marrin qëndrim, andaj duhet ikur nga të partiturat.
“Kështu që sot brifojmë tek anëtarët e Komisionit Evropian në Bundestag për domosdoshmërinë që të krijohet një parashikim për këtë proces sepse të gjitha këto procese të paparashikueshme mund të çojnë deri te komplikime shtesë. kështu që tani çështja është se në cilin muaj Bundestagu do ta shqyrtojë progres raportin e Komisionit Evropian që Qeveria më pas të mundet me meritë të sjellë vendim në Këshillin e BE-së. Ne jemi optimistë se këtë vit fillojmë negociatat” theksoi Bujr Osmani, zv/kryeministër për çështje evropiane
I pyetur nëse këtë qershor Maqedonia merr datë për bisedime, raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian Ivo Vajgëll, tha se përgjigja duhet të kërkohet në marrëdhëniet e ndërlikuara mes Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian. Vajgëll mendon se në Komision nuk do të kishte probleme sepse ata nuk tërhiqen nga afati i qershorit, por vendimi merret tek Këshilli, dhe nëse një vend është kundër, atëherë data shtyhet./ina