Ndoshta do të le ndonjë njollë në imazhin e të akuzuarve, por në praktikën juridike qëllimi i arsyeton mjetet, ku shfrytëzohet çdo zbrazëtirë juridike për të shpëtuar nga dënimi, ndaj dhe locimi i përgjegjësisë komanduese te dikush që ka ndërruar jetë(Adem Demaçi), nuk duket etik, por vetëm pragmatik!
Nga Daut DAUTI
- Ndaj dëshpërimin me shumë kosovarë që ndryshe kanë pritur që të flasin dëshmitarët e Hashim Thaçit, që në favor të tij e nisën javën që lame pas, me Xhejms Rubinin si të parin. Një përkrahje masovike në njërën anë, dhe një varg kontestimesh në anën tjetër, do të lënë një shije të hidhur se nga mund të shkojë mbrojtja, duke rrënuar imazhe e të vërteta për luftën e UÇK-së, që nuk janë pa trauma për njerëzit…
Këtu mund të jetë keqkuptimi i madh midis të vërtetës dhe betejës juridike në Hagë dhe për t’i sqaruar gjërat, ndoshta ia vlen të krahasohet gjykimi në Tribunalin e Hagës i dy të akuzuarve nga Maqedonia për krimet lufte në vitin 2001. Nga dëshmia e Rubinit, del se Hashim Thaçi edhe nuk paska qenë lideri i vërtetë i UÇK-së, e as komandant i saj. Ndryshe nga ç’është ditur, thënë e shkruar deri më tash, në ato rrëfimet e epopesë së lavdishme të rezistencës dhe luftës çlirimtare. Përnjëherë na shemben mitet dhe mistifikimet për atë që shumëkush e ka krijuar imazhin në kokën e tij.
Por a ka këtu një keqkuptim dhe një lojë me normat dhe metodologjinë e mbrojtjes, kundrejt vetë të vërtetës për luftën?
Përkundër akuzave ndaj Gjykatës Speciale që ndjek Hashim Thaçin me shokë, se bëhet fjalë për gjykim politik, duket se aspekti juridik është ai që mund t’i shpëtojë nga gjykimi. Profesionistët e fushës e dinë çka do të thotë kjo, ndaj dhe disa e kanë kuptuar mirë që dëshmitarët e mbrojtjes, po e flasin atë që do të jetë në favor të betejës juridike, që nga ana tjetër, mund të jetë jo pak kontrovers.
Në këto dilema, mbase mund të ndihmojnë dy rastet e gjykimit për krime lufte në Tribunalin e Hagës të Johan Tarçullovskit dhe Lube Boshkovskit. E di se shumëkush mund të kapet “për fjale” e të thotë si e bën këtë krahasim, por, letë jenë të qetë, krahasimi është vetëm për mënyrën e mbrojtjes, dhe jo të veprave të tyre, edhe më pak rreth fajësisë.
Dhe ja shema që ka funksionuar në rastin e dy të dyshuarve nga Maqedonia, që po përsëritet te Hashim Thaçi. Fati i të dyve ishte i determinuar nga pozicionet e tyre që kishin gjatë konfliktit. Që të dytë ishin të akuzuar për rastin e vrasjes së 10 civilëve shqiptarë nga fshati Luboten, ku hynë forcat policore të Maqedonisë. Për të dytë fajësia pakashumë lidhej me “përgjegjësinë komanduese”, njëri si komandant i drejtpërdrejtë në terren, e tjetri si ministër i Punëve të Brendshme. I pari brenda në katund, kurse tjetri diku larg, në një shtëpi, i kapur me kamerë nga gazetarët, duke vështruar aksionin me dylbi në prani të gazetarëve (Boshkovski gjatë luftimeve shpesh i merrte me vete, gjersa këta të fundit nuk vendosën t’i bojkotojnë “filmat” e tij pasi gatise nuk i vrau në një incident gjatë një demonstrimit me mitraloz!). Mirëpomëvonë, kur ai gjendej në Hagës, mediat arritën të nxjerrin në dritë një incizim ku merrej në pyetje Lube Boshkovski, ku ai rreth përgjegjësisë së tij përgjigjej pakashumë kështu: “dihej se kush i merrte vendimet në terren, unë nuk kam qenë atje”. Me fjalë të tjera, duke dashur të ikë nga përgjegjësia komanduese si ministër, indirekt fajin ia hidhte të nënrenditurit të tij më poshtë, edhe pse nuk ia zinte emrin me gojë. Megjithëse objektivisht ai ishte përgjegjës që ishte ndërmarrë një aksion policor në një fshat ku nuk kishte pjesëtarë të UÇK-së, ose të paktën nuk kishte aktivietete të tyre, e ku në vend të pjesëtarëve të UÇK-së ishin vrarë banorë të fshatit nëpër shtëpitë e tyre, i ballafaquar me drejtësinë, shpëtimin e kërkonte duke ia hedhur përgjegjësinë atij tjetrit, që kishte udhëhequr drejtpërdrejtë aksionin. Për shkak të mënyrës aspak heroike të shfajësohet, nofkën e tij “brat Lube”(vëllau Lube) ia ndërruan me “sestra Lube”! Ajo që mendoj se edhe më shumë ka ndikuar në shpëtimin e tij nga përgjegjësia për Lubetenin, është dëshmia e kolegut të tij, ministër, në qeverinë e uniteti politik, edhe pse nga parti të rivalizuara, Vllado Buçkovski.
Ai në Tribunalin e Hagës, përgjegjësinë komanduese e ngriti në nivelin më të lartë, te kryetari i shtetit, Boris Trajkovski, si komandant suprem. Objektivisht, ashtu duhej të ishte, por realisht, jo. Sepse, kryetari i shtetit është vërtet komandant suprem, por i Armatës, e jo i policisë. Por ky narrativ, duket se pati sukses para Tribunalit të Hagës, dhe përgjegjësia komanduese i mbeti kryetarit!
Pikërisht këtu është edhe analogjia mes Hashim Thaçit dhe Lube Boshkovskit. Siç po shihet, strategjia e mbrojtjes është që të dëshmojë se Hashim Thaçi nuk ka qenë “komandant suprem” i UÇK-së. Në një shtet të pakrijuar, nuk ka një komandant suprem në kuptimin siç ka qenë Boris Trajkovski si kryetar i shtetit në Maqedoni. Në kohën kur gjykohej Lube Boshkovski, Boris Trajkovski ishte më i ndjerë, pas një fatkeqësie aeroplani. Në Gjykatën Speciale mbrojtja Hashimin dëshiron ta prezantojë si një Xheri Adams(krah politik i IRA-s irlandeze), pra, një lider politik, pa ndikim te komandantët e UÇK-së. Në anën tjetër, mbrojtja edhe liderizmin politik dëshiron t’ia zbehë, mbase me pajtimin e vetë Thaçit, që mbi të ka qenë autoriteti i Adem Demaçit! Njësoj si Trajkovski, edhe Demaçi është i ndjerë. Edhe ai që do të ishte vërtet komandant suprem, Ibrahim Rugova, si president i Kosovës, UÇK-ja nuk e kishte njohur si të tillë, ndaj dhe i vdekur, shpëton nga çdo përgjegjësi dhe nuk përmendet në gjykim!
Është ironike, por mbrojtja e Hashim Thaçit e ka marrë rrugën më të lehtë për ta shpëtuar klientin e tij, për ta locuar përgjegjësinë komanduese të supozuar te një figurë që s’është gjallë, pa hyrë në anën etike të gjithë kësaj. Rruga më e vështirë, por më e pasigurt, do të ishte të dëshmohej se nuk janë bërë fare krime dhe se ai me shokë nuk ka lidhje me to. Një rrugë tjetër do të ishte edhe më problematike, që të pranohej se personat që janë vrarë, nuk janë vrarë pa faj, por pse i kanë shkaktuar dëme popullit të tyre. Por si të dëshmohet kjo, nëse ata janë vrarë pa gjyq!
Nëse kosovarët janë të bindur se Gjykata Speciale ka dalë prej mandatit të saj për çka është krijuar të hetojë(rastin e “shtëpisë së verdhë” të Di Martit), dhe praktikisht gjithë procesi është shndërruar në gjyq politik, atëherë është një lloj lufte e drejtë që mbrojtja ta hedhë poshtë këtë qëllim, duke bërë këso akrobacione avokatie. Ndoshta do të le ndonjë njollë në imazhin e të akuzuarve, por në praktikën juridike qëllimi i arsyeton mjetet, duke shfrytëzuar çdo zbrazëtirë juridike, çdo nyje ku mund të kapet për të liruar klientin. Kështu ka raste në praktikën gjyqësore kur gjithçka dihet për ndonjë vepër, por nëse nuk gjendet arma e një krimi, vrasësi mund të dalë në liri. Në praktikën tonë gjyqësore, kemi shumë raste të lirimit të dikujt që është zhytur në korrupsion, vetëm pse lënda është vjetruar, e jo pse ai është i pafajshëm. Lirimi nuk do të thotë shfajësim, por thjeshtë, shfrytëzim i një situate që ta mundëson ligji. Pra, edhe këtu te Hashim Thaçi me shokë, mund t’i mbetet “fajësia” Adem Demaçit, si një autoritet dhe lider suprem i UÇK-së, që ndoshta nuk ishte përnjëmend, por që në anën tjetër, nga varri nuk ka gojë të flasë.
- Opozita dhe një pjesë e publikut në Shqipëri mund të thotë se Edi Rama po tallet, por e vërteta është se ai përherë është ndonjë hap përpara të tjerëve. Edhe kur duket se ai sillet si protagonist në një realiti shou, edhe kur duket se diçka bën përnjëmend, është kreativ dhe origjinal, si tash, kur, u bë kryeministri i parë në botë që propozoi një ministre virtuale, “Diellën”, që për Berishën me shokë është një hajgare e madhe…Për të mos qenë vetëm “Diella” ajo që trazoi shpirtërat(ajo vetë deklaroi se kontestimet e saj nga opozita e kanë prekur thellë dhe se nuk duhet të gjykohet “origjina”, por puna e saj!!!), Edi Rama të enjten bëri edhe një punë për Ginisin: deshi ta prezantojë programin e qeverisë së re prej 50 faqesh, por i penguar nga opozita, me vendimin e kryetarit të parlamentit për t’ia marrë të drejtën e diskutimit opozitës, votimi u bë për 5 minuta! Bravo i qoftë, edhe pse kjo për Berishën ishte diçka që as Maduro nuk e ka bërë në Venezuelë, por diçka që e bën lideri korean…
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

