2019-09-07
Sead Zimeri
Dallimet biologjike/anatomike mes burrave dhe grave ekzistojnë dhe ato nuk mund të mohohen kurse përpjekjet për të bërë politikë egalitare pa e marrë parasysh këtë dallim të njeriut nuk levërdisin politikisht. E kuptoj fare mirë që gruaja ka vuajtur shumë nën trysnitë “anatomike” që burrat kanë ushtruar mbi gratë e të gjitha moshave. Por, këtu duhet të jemi konceptualisht të saktë: ajo që është gabim këtu është pikërisht, jo anatomia, por dhuna që arsyetohet në emër të anatomisë. Kjo dhunë nuk e ka bazën në anatomi, por në ligjërime (diskurse) shoqërore dhe politike që pretendojnë te e marrin anatominë për bazë të tyre. Përbërja jonë anatomike mund të shërbejë si arsyetim për superioritetin gjinor të burrit mbi gruan sikur që mund ta arsyetojë superioritein gjinor të gruas mbi burrin. Kjo varet nga cila perspektivë e vështrojmë anatominë. Anatomia mund të kuptohet ose si e kupton Frojdi kur thotë “anatomy is destiny” ose si e kupton de Beauvoir “one is not borne, but rather becomes, a woman”. Kryesore në këtë rebus është të kuptohet që çdo ligjërim që ngrihet mbi anatominë e njeriut është, pra, ligjërim, jo anatomik por, shoqëror, politik, filozofik, dhe historik. Prandaj edhe nuk ka nevojë të mohohet anatomia e njeriut për të promovuar tezat e feminizmit për barazi gjinore.
Unë mendoj që ekziston një argument shumë më i fortë sesa mohimi i anatomisë kundër sistemit patriarkal; në fakt mohimi i anatomisë jo vetëm që është vështirë të harmonizohet me të vërtetat evidente për ndryshimet anatomike mes grave dhe burrave por kur bëhen përpjekje për t’i mohuar këto dallime nuk është ligjërimi maskilist ai që dështon, por ai feminist. Dhe në këto raste të amateurizmit ato vetëm sa e dëmtojnë kauzën për të cilën luftojnë.
Mendimi patriarkal ka një dobësi të madhe epistemike në filozofinë e tij; ai nuk ka kurrfarë vetëdije kritike për çarjet epistemike që ndodhin gjatë kalimit prej anatomisë në ligjërimet sociale. Hendeku epsitemik, por edhe ontologjik, që hapet mes anatomisë dhe ligjërimeve mbi anatominë nuk shtrohet si çështje që duhet analizuar dhe problematizuar, por thjeshtë mirret në besim – njëjtë sikur besimtarët që presupozojnë, pa kurrfarë argumenti, se lidhja shkak-pasojë përfundon te Zoti si shkak i parë. Dobësitë e këtij mendimi janë mëse të qarta: Zoti nuk është pjesë e kësaj lidhje kauzale që të mund të presupozohet ashtu në mënyrë joproblematike kalimi nga njëri në tjetrin. Sikur që ky mendim nuk e merr parasysh ndryshimin e qenesisë, natyrës së njërit dhe tjetrit, po ashtu edhe mendimi patriarkal nuk e koncepton dot ndryshim dhe as mënyrën se si ndodh ky ndryshim në nivel epistemik. Si rrjedhojë, ai i ngatërron kategoritë, dhe bën politikë dhune ndaj grave.
Ka pra një dallim kategorik mes njërit dhe tjetrit, dhe ndërhyrja kritike që feminizmi bën është pikërisht në këtë hendekun, çarjen dhe hapësiren mes anatomisë dhe çdo ligjërimi tjetër që pretendon të dalë nga anatomia. Sistemi patriarkal është dogmatik në këtë nivel dhe i konceptualizon dallimet gjinore në terme të hierarkisë shoqërore, duke i dhënë karakter superioriteti anatomisë më muskuloze (fizikisht më të fortë) të burrit dhe karakter inferioriteti anatomisë më pak muskuloze (fizikisht më të dobët) të gruas. “I fortë” dhe “i dobët” nuk janë koncepte morale por koncepte të militarizmit që strukturohen në dhunë. I forti nuk është domosdoshmërisht i mirë apo i drejtë apo i barabartë. Dhe anasjelltas.
Sistemi patriarkal është sistem që e mbështet të fortin, duke i dhënë atij privilegje nga të cilat e ndanë gruan në emër të faktit anatomik që ajo është më e dobët. Por pikërisht kjo është ajo që çdo sistem etik dhe moral, çdo politikë e vërtetë emancipuese dhe çdo filozofi e ngritur mbi parimin e respektimit të dinjitetit të njeriut e lufton si të padrejtë dhe jo të moralshëm. Ligji moral nuk funksionon ashtu duke e bërë të fortin më të fortë, dhe duke e braktisur atë që është më i dobët në dobësinë e vet, por duke krijuar mundësitë që të gjithë të njihen dhe të trajtohen barabartë dhe të kenë të drejtë të barabartë për të kërkuar mbrojtjen e shoqërisë (ligjit) prej këtyre të fortëve muskulorë. Ky gjykim bëhet jo sepse sistemet patriarkale mbështesin pabarazitë mes gjinive (çdo sistem është i kushtëzuar deri diku nga mbështetja e pabarazive shoqërore) por sepse pabarazitë gjinore i ngritë në koncept përbërës të filozofisë së vet në atë mënyrë që i jep të fortit të drejtë dhe privilegje vetëm pse ai është i fortë: dmth, në sistemin patriarkal burri sundon sepse është (fizikisht) i fortë; ndoshta kjo e shpjegon përbuzjen që sistemi patriarkal ka për homoseksualet, sepse aty sikur prishet ky plan dhe burri vendoset në pozitën e të dobëtit, gruas pra.
Në këtë kuptim sistemi patriarkal është sistemi më i dhunshëm që ekziston, ngase të gjitha sistemet e pabarazive tjera përpiqen të arsyetohen në bazë të parimeve universale të moralit dhe përjashtimeve të domosdoshme kontekstuale që duhet bërë në mënyrë që sistemi të ekzistojë (nuk ekzistojnë kushtet për realizmin e barazisë, drejtësisë, e kështu me radhë); sistemi patriarkal i skalit pabarazitë gjinore në idealin e saj shoqëror (gruaja nuk është dhe nuk duhet të jetë e barabartë me burrin). Dhuna është e pandashme nga sistemi patriarkal; madje edhe atëherë kur ai nuk ushtron dhunë dhuna është aty si fantazmë, si mundësi dhe kërcënim.


