ÇFARË KUSHTESH KËRKOHEN PËR HAPJEN E NJË BIZNESI NË ZVICËR?

Date:

JO AQ VËSHTIRË ME HAPUR NJË BIZNES NË ZVICËR, POR NË ÇKA DUHET ME PASUR MË SË TEPËRMI KUJDES?
Sipas rregullave zvicerane të lirive tregtare, nuk është aq vështirë me filluar një biznes (apo me hapur një shoqëri tregtare).
Vetëm profesionet e ashtuquajtura të « mbrojtura » dhe të rregulluara me ligj gëzojnë një status të posaçëm dhe s’mundet me i ushtruar gjithkush. Janë në pyetje posaçërisht profesionet që kërkojnë një licencë specifike shtetërore (siç janë për shembull, profesioni i mjekut, inxhinierit, noterit, elektricistit, e shumë të tjera).
Për bizneset e shumta që ushtrohen, për shembull, në sektorë të ndryshëm të ndërtimtarisë, hotelerisë dhe zanateve, në shumicën e kantoneve zvicerane, nuk kërkohet aspak diplomë e posaçme apo shkollim adekuat.
Megjithatë, është me rëndësi që para se të iniciohet një projekt biznesi, të merren informata të duhura për të drejtën e ushtrimit të tyre, për kushtet që lidhen me statusin e qëndrimit, dokumentet e nevojshme, aspektet financiare (detyrimi i mbajtjes së kontabilitetit, pagesa e TVSH), procedurën e hapjes dhe për të gjitha formalitetet e kërkuara sipas ligjit.
FORMAT MË TË PËRHAPURA TË BIZNESEVE
Janë këto si vijojnë:
– Ndërmarrja individuale (« Entreprise individuelle » (fr.), « Einzelunternehmen » (gj.)) ;
– Shoqëria me përgjegjësi të kufizuar-SHPK (« Société à responsabilité limitée-SARL » (fr.), « Gesellschaft mit beschränkter Haftung-GMBH » (gj.)) ;
– Shoqëria anonime ose aksionare – SHA (« Société anonyme-SA » (fr.), « Aktiengesellschaft-AG » (gj.)).
KUSH DO TË ISHTE FORMA JURIDIKE MË E PËRSHTATSHME PËR BIZNESIN TONË ?
Format e përmendura nuk i përshtaten çdo lloji aktiviteti tregtar. Kështu që duhet zgjedhur formën e duhur, varësisht prej projektit të biznesit që dëshirojmë ta ushtrojmë.
Ekzistojnë disa fusha të tregtisë të cilat nuk karakterizohen me rreziqe të larta financiare apo të përgjegjësive. Atëherë, konkretizimi i projektit të biznesit mund të realizohet përmes ndërmarrjes individuale. Është kjo forma më pak e ndërlikuar.
Ndërsa, për bizneset kur dikush i futet një aktiviteti me dikën tjetër (ortak), atëherë është e preferueshme të kalohet nëpërmjet SHPK. Shpeshherë është e këshillueshme kjo formë.
Përparësia më e madhe e SHPK vërehet edhe atëherë kur ballafaqohemi me humbje apo kur është shkaktuar një dëm ndaj personave të tretë. Përgjegjësia për borxhet dhe dëmin e bërë bartet kryesisht tek kapitali ekzistues i SHPK (e jo tek kapitali individual i udhëheqësit të SHPK). Po kështu, ortakët janë të mbrojtur më mirë.
Shoqëritë anonime këshillohen gjithsesi në rastet e fillimit të ndonjë biznesi me një dimension përgjegjësie shumë më të lartë sesa shoqëritë tjera tregtare.
Për të gjitha format ekzistuese, edhe rregullat për sigurimin e shoqërive tregtare, pagesat e tatimeve, të TVSH, dhe shumë detyrimeve të tjera, dallojnë varësisht prej formës së zgjedhur të biznesit.
Forma më e përhapur e ndërmarrjeve tregtare mbetet pra SHPK. Kapitali minimal që duhet investuar është 20’000.- franga. Mbi 92 mijë SHPK janë të regjistruara aktualisht në Zvicër.
A ËSHTË I DETYRUESHËM REGJISTRIMI NË REGJISTRIN TREGTAR DHE KUSH ËSHTË VLERA E TIJ ?
Ajo që iu jep një status të njohur shoqërive të ndryshme tregtare është regjistrimi i tyre në regjistrin tregtar (« Registre du commerce » (fr.), « Handelsregister » (gj.)).
Varësisht nga forma juridike e biznesit të zgjedhur, regjistrimi s’është çdo herë i detyrueshëm. Janë të parashikuara disa kushte për këtë çështje. Vetëm shoqëritë tregtare (individuale) që realizojnë të ardhura mbi 100’000 franga në vitë i nënshtrohen këtij detyrimi. Kurse për të tjerët regjistrimi është fakultativ.
Regjistrimi këshillohet edhe atëherë kur nuk do të ishte i detyrueshëm. Kjo sqarohet me faktin se regjistri është një dokument publik që i përcjellë informatat themelore për biznesin e ushtruar dhe mund të konsultohet nga secili person i interesuar, duke ofruar kështu edhe një transparencë sa më të lartë, aq e nevojshme kjo për aktivitetet tregtare.
Përgatitur nga

Shpërndaj:

REKLAMOHU KËTU

1 Javë: 50€

1 Muaj: 150€

DËRGO EMAIL KONTAKT NË WHATSAPP

Më të lexuara

Lajme të ngjajshme
Related

Arbër Bullakaj merr detyrën në Këshillin Kombëtar të Zvicrës

Gjashtë anëtarë të rinj të Këshillit Kombëtar morën detyrën...

Shkaqet shëndetësore ndikuan në moderimin e gazetarit Kushtrim Sadiku

Gazetari Kushtrim Sadiku, i kërkon falje publikut për paraqitjen...

Gjashtë të vdekur nga një zjarr në një autobus në Zvicër

Një autobus postar u përfshi nga flakët në Kerzers,...