„BLICK“ zbulon përse thirrjet telefonike për Kosovë ishin 18 herë më të larta

27 Lexime

11:29:53                2019-04-19

 

 

 

Tashmë disa muaj, konsumatorët e kompanisë mobile M-Budget Mobile, kanë paguar shumë më tepër për thirrjet nga Zvicra për Kosovë. Vetëm duke iu falënderuar gazetës „Blick“ është konstatuar se ekziston një gabim deri tani pa u vënë re dhe „Migros“-i ka reaguar menjëherë.

Ishin vetëm pesë minuta që Blerina Aliti kishte telefonuar me vëllain e saj, i cili aktualisht po trajtohej në një spital në Kosovë, informon Shtegu.com. Por biseda e shkurtër në telefon i kishte kushtuar shumë shtrenjtë. Në fund të muajit, fatura telefonike nga ofruesi M-Budget Mobile u vendos në tavolinë, ndërsa familja Aliti nga Kantoni i Aargaut nuk iu besonte syve. Ajo që më herët kushtonte vetëm disa cent, tani iu kushtonte plot 30 franga më tepër.

Blerina jeton që 32 vite në Zvicër. Megjithatë, ajo nuk dëshiron të humbë kontaktet me të afërmit. Ajo mendon se është trajtuar padrejtësisht nga M-Budget Mobile. „Për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, tarifat për thirrje kanë mbetur të njëjta. Papritmas, vetëm për Kosovën çmimet janë ngritur shumë lartë. Kjo është e padrejtë“.

Në fakt, një vështrim në listën e çmimeve për klientët e M-Budget Mobile tregon se si Kosova zë një pozitë të shtrenjtë të veçantë. Për shembull, ai i cili telefonon me telefon celular nga Zvicra në kryeqytetin e Prishtinës, duhet të llogarisë 4.50 franga në minutë. Sa për krahasim: Në vendet fqinje, Shqipëri dhe Serbi apo edhe në Kroaci, M-Budget Mobile kërkon vetëm 25 cent për minutë – që është 18 herë më pak. Si mund të ndodhë kjo?

Në Migros fillimisht janë befasur në pyetjen e „Blick“ rreth kësaj çështje. Sqarimet e para me partnerin Sëisscom dëshmuan: Për shkak të një gabimi, konsumatorët masivisht kanë paguar për muaj të tërë për thirrjet në Kosovë! „Sipas njohurive aktuale, Kosova ka rënë aksidentalisht në një zonë tarifore më të lartë për shkak të një kodi të ri të zonës“, thotë zëdhënësja e Migros-it, Christina Maurer.

Në qershor të vitit 2018, kodi i zonës për Kosovën ndryshoi në +383. Sipas Migros, çmimi i lartë i gabuar mbetet i pazbuluar deri më sot, njofton Shtegu.com. Por, tani do të reagohet menjëherë. „Ne do ta rregullojmë tarifën e gabuar deri në fillim të muajit maj“, konfirmon Maurer. „Prej atëherë, klientët mund të thërrasin sërish me tarifën e vjetër – 25 cent në minutë në Kosovë“.

Në Migros, janë penduar për incidentin dhe kërkojnë falje për klientët. Por për të gjithë ata që kanë paguar shumë gjatë muajve të fundit, vjen një lajm i mirë. Sipas Migros, shuma e gabuar do të rimbursohet automatikisht nga Sëisscom tek abonentët në fjalë.