Binjaket shqiptare që pushtuan zemrat e francezëve
01:57:25 2016-04-24
Peticioni i lansuar gjatë javës së kaluar në ueb faqen e `change.org`, për të përkrahur motrat binjake shqiptare, Suada dhe Ingreta Dade, deri më tani ka grumbulluar rreth 25 mijë nënshkrime.
Shoqata për të drejta e njeriut, ka vënë në shënjestër kryetarin e Komuës Dordogne në Francë, në lidhje me binjaket 26-vjeçare shqiptare, të cilat janë të rrezikuara për tu dëbuar nga territori francez, në kohën kur prindërit e tyre janë pajisur me lejeqëndrim të rregullt.
Studente të Shkollës së lartë për kontabilitet dhe menaxhment pranë Liceut „Laure-Gatet“ në Périgueux, Suada dhe Ingreta Dade, 26-vjeçare, janë të rrezikuara për tu dëbuar në Shqipëri. Në Francë kanë ardhur tashmë katër vite më parë, pa ndonjë statut tjetër përpos kërkueseve të azilit, duke u përpjekur që të integrohen sa më mirë në shoqërinë franceze e të zhvillojnë një jetë sikur vajzat tjera të moshës së tyre. Verën e kaluar, babai i tyre i sëmurë dhe e ëma, ishin pajisur me lejeqëndrim të rregullt. Të lehtësuara nga situata e rregulluar e prindërve të tyre, binjaket po shpresojnë se janë duke e parë një dritë në fund të tunelit, shkruan „Sudouest“, njofton „Shtegu.com“: „Kemi besim të madh se situata jonë do të mund të rregullohet“, ka pohuar Ingreta.
Por, për fat të keq, nuk kishte mjaftuar vetëm shpresa. Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, kërkesa e motrave binjake ishte refuzuar nga Komuna për shkaqe private apo familjare, duke i urdhëruar që të largohen nga territori francez. Të përkrahura nga shoqata për të drejtat e njeriut (LDH), nga mesi i muajit dhjetor, familja Dade kishte parashtruar ankesë para Gjykatës administrative në Bordeaux. Por, më kot. Nga fundi i muajit mars, drejtësia franceze e kishte refuzuar ankesën, duke i detyruar binjaket që të mos largohen nga përkufizimi i ashpër hapësinor përreth Dordogne, (një lloj i burgut shtëpiak V.J.). Ato janë të obliguara që rë paraqiten tre herë gjatë javës në komisariatin në Périgueux.