Ali Ahmeti paketon valixhet, lëshon karrigen e liderit?
21:18:53 2016-04-10
Përgjimet dhe kreu i BDI-së
Shkruan: Prof. Dr. Sefer Tahiri
Krahas vlimeve të mëdha në skenën politike të Maqedonisë, pas rifreskimit të qeverisë me ministrat e rinj nga radhët e BDI-së për nga mosha dhe përvoja politike dhe administrative- qeveritare, shtrohet rjedhimisht edhe çështja se vallë riformatimi do të përfshijë edhe deputetët e BDI-së. Shoh aty këtu nëpër portale spekulime, sepse nuk janë lajme të verifikuara, në të cilat përmendet një emër i përveçëm, një „alamet“ deputet, i cili paska blerë vetura dhe paska bërë pasuri për vete. Pa bërë analizë mbi emrat e përveçëm, them se reformat partiake nuk do të jenë të arsyeshme dhe racionale nëse nuk përfshijë kryesinë e partisë dhe deputetët aktualë. Nëse jo të gjithë, shumicën po se po!
Por çështa aktuale kruciale është se vallë reformat do të përfshijnë lidershpin e BDI-së?
Vetë Ali Ahmeti në „Rruga drejt“ në ALSAT M ka qenë decid se nuk është i përjetshëm dhe as i pazëvendësueshëm. Proces padyshim shumë i natyrshëm që ndodh në të gjitha partitë politike moderne evropiane. Gjithsesi se nuk ka saktësuar kohën, por them se kjo kohë nuk është larg. Kjo do të ndodh. Ndoshta në kongresin e ardhshëm! “Nuk jam komod në karrigen që mbaj në BDI sepse harxhoj energji nga të miat për të drejtuar dhe për të qenë BDI-ja në binarë dhe në rrugë të mbarë. Unë nuk jam i përjetshëm dhe as që kam një pretendim të jem kryetar i përjetshëm i BDI-së. Mendoj për freskime dhe për njerëz të rinj dhe sigurisht që njëra nga agjendat e mia është edhe freskimi që nga lartë e deri te baza poshtë. Unë nuk jam i pazëvendësueshëm”, thotë Ahmeti.
Çështja është se a do të largohet si lider i partisë shqiptare, fituese të disa proceseve zgjedhore apo do të presë ndonjë „sebep“ për tu larguar nga skena politike, nga pozita e liderit faktik, për të qenë kreu i nderit të BDI-së.
Nuk jam nga ata që dikur thoshin e shkruanin, po parafrazoj: „Duhet të jemi falënderues ndaj Zotit që na e dërgoi Ali Ahmetin“ e nuk jam as nga ata që thonin e shkruanin se „Ahmeti është tradhtar“.
Historia do të gjykojë kreun e BDI-së më së miri, por duke qenë kritik i vazhdueshëm i politikbërjes së partisë së tij në qeverisjet me LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në nga viti 2002 e deri më sot, ku nuk kanë reshtur dështimet kolosale dhe rezultatet negative sidomos pas vitit 2008 me Gruevskin si partner qeverisës, që janë analizuar me një distancë emocionale politike, nuk mund të mos them se vlerësimi i plotë për të personalisht si politikan duhet të jepet duke marrë për bazë edhe historinë dhe veprimtarinë e tij para formimit të BDI-së. Vetëm atëherë do hidhet dritë mbi Ali Ahmetin!
Gjykimin e tij historik dhe politik mbi të vërtetin Ali Ahmeti më nuk duhet ta japin shokët e tij si Bedri Islami ose ndonjë tjetër, por njerëz që kanë gjykim të ftohtë dhe racional politik.
Ali Ahmeti në rast ka thënë se ai dhe bashkëpartiakët e tij nuk janë dëllinja, por lisa që nuk i merr era.
Uinston Çerçili moti ka pohuar se „Gazetaria është profesion tepër interesant, por duhet të braktiset me kohë“. Njësoj edhe politika.
Ahmeti si duket e ka kuptuar këtë! Apo më mirë thënë dëshirojmë ta ketë kuptuar këtë.
P.S Portalet nëse e publikojnë këtë koment, duhet ta publikojnë pa ndërhyrje editoriale. Nëse e bëjnë të kundërtën do të shkelin të drejtat autoriale!