25.11.2019
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic ka deklaruar në një intervistë për gazetën franceze “Figaro” se shqiptarët duan të dominojnë Ballkanin!
Për Shqipërinë e Madhe, Vuçiç tha:
“Ata thjesht e dëshirojnë. Ndonjëherë ata do të thoshin se do të bashkoheshin nën çatinë e BE-së, por kurrë nuk kanë hequr dorë nga ajo ide. Shikoni Albin Kurtin që fitoi zgjedhjet. Pas tij nuk ka asnjë flamur të Kosovës por vetëm të Shqipërisë. Të gjithë ambasadorët ulën në atë ambient me të dhe nuk shqetësohen aspak,” tha Vuçiç.
Duke folur për mini-shengenin ballkanik, Vuçiç shprehet shumë i lumtur që merr pjesë.
“Unë i jam mirënjohës kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev që iniciuan bashkë me mua projektin e Mini Schengen-it, i cili ka si synim lëvizjen e lirë mes vendeve të Ballkanit” tha Vuçiç.
I pyetur për takimin e fundit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, i organizuar nga kreu i shtetit të Francës Emanuel Macron, Vuçiç tha se nuk ishte person tejet optimist.
“Ne vazhdimisht po përpiqeshim të gjenim një zgjidhje kompromisi, por pala e Prishtinës nuk shqetësohej aspak, sepse vetëm dëshiron të apelojë opinionin e saj publik. Ata duan që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, dhe si kthim Serbia nuk do merrte asgjë,” tha Vuçiç.

