Aktakuza ndaj shqiptarit në Austri përmban plot 2.300 faqe
23:22:33 2017-12-16
Gjatë të premtes, në Austri janë dënuar me burgim të rëndë dy kushërinj shqiptarë nga Gjykata rajonale e Klagenfurtit. Ata kanë kryer disa dhjetëra plaçkitje.
Gjatë shqyrtimit të aktakuzës ndaj dy kushërinjve shqiptarë, gjykatësja austriake Michaela Sanin e ka kapur kokën me dorë. Ajo ende nuk kishte parë diçka të ngjashme pasi ia lëshoi një shikim aktakuzës mbi tavolinë. Në to janë përfshirë listat e detajuara të plaçkitjeve të dy kushërinjve. Vetëm policia e Vorarlbergut kishte shkruar një dosje dhjetëfaqëshe në të cilën janë përshkruar plaçkitjet e profesionistëve nga Shqipëria nëpër Austri.
Por, nuk ka qenë vetëm rrethina e Vorarlbergut caku i tyre i dëshiruar. Ata kanë vepruar edhe në Tirol, Kärnten, Salzburg por edhe nëpër Europë. Aktakuza ka përfshirë gjithsej më tepër se 2.300 faqe, në të cilat janë përshkruar plaçkitjet e kushërinjve shqiptarë.
Autori kryesor 38-vjeçar, edhe më heret ka qenë i burgosur për plaçkitje të ndryshme të cilat i ka kryer nëpër Austri, Suedi, Gjermani dhe Zvicër. Shqiptari i ashtuquajtur „shpues i dritareve“ i ka pranuar veprat, ndërsa kushëriri i vet nuk ka qenë i vetëdijshëm se ka bërë ndonjë faj. Ai vetëm se e kishte shoqëruar me veturë kushëririn dhe as që ka pasur ide se çfarë po bënte ai gjatë pauzave të shkurtëra në mes të natës. I akuzuari kryesor e ka konfirmuar këtë deklaratë të kushëririt, por se gjykata nuk i ka besuar këtij versioni.
Gjykata gjithnjë i ka paraqitur fotot nga vendi i plaçkitjeve, ndërsa në të gjithë rastet, vrimat e shpuara nëpër dritare gjithmonë kanë qenë të njëjta. Me përjashtim të kësaj, gjurma të tjera nuk kanë mundur të gjenden, shkruan „Heute“, përcjellë „Shtegu.com“. Gjykatësja është interesuar se si kanë mundur në mënyrë kaq profesionale t`i kryejna veprat, ndërsa i akuzuari është përgjigjur se të gjitha i kishte mësuar përmes rrjetit Youtube, në të cilin mund të gjenden udhëzime të shkëlqyeshme për tu bërë një hajn profesionist.
I akuzuari kryesor ka dashur t`i lehtësojë rrethanat duke pohuar se i ka plaçklitur vetëm shtëpitë e zbrazëta. Por, gjykata nuk i ka besuar, duke e dënuar me gjashtë vite e gjysmë burg. Kushëriri më i ri është dënuar me dy vite e gjysmë, ndërsa sapo ka marrë vesh nga përkthyesi për dënimin, është shqetësuar tmerrësisht. Avokati i tij ka kërkuar një periudhë reflektimi prej tre ditësh. Avokatët e palës mbrojtëse kanë paralajmëruar ankesa në instancat më të larta, përderisa vendimi gjyqësor ende nuk është i plotfuqishëm. (Shtegu.com)