Aksidentohet kryetari i Zvicrës, por vazhdon misionin e planifikuar
03:13:36 2016-09-24
Vetura e kryetarit të shtetit helvet është goditur nga një veturë tjetër në autostradën A16 në afërsi të Bassecourt në Kantonin Jura. Për fat të mirë, kryetari Johann Schneider-Ammann kaloi pa lëndime.
Kryetari i shtetit zviceran, Johann Schneider-Ammann, mbrëmjen e së premtes është involvuar në një aksident komunikacioni që ka ndodhur në Kantonin Jura. Ai nuk pësoi lëndime trupore dhe vazhdoi programin e tij të planifikuar.
Aksidenti është shkaktuar rreth orës 18.25 në autostradën A16 në mes të Delsbergut dhe Glovelier, thuhet në një komuniaktë të policisë zvicerane, njofton „Shtegu.com“. Vetura në të cilën gjendej kryetari, ka dashur t`i lirojë vendin një veture tjetër nga kahja e kundërt, prandaj ka kaluar në një korsi tjetër, në të cilën ka qenë duke vozitur një veturë me shpejtësi të madhe, e cila nuk ka arritur dot të frenojë, duke goditur veturën e kryetarit.
Zëdhënësi i tij, Erik Reumann ka deklaruar se kryetari është në gjendje të mirë. Pas aksidentit, ai personalisht ka vendosur që të vazhdojë programin e tij, prandaj ka hipur në një veturë tjetër dhe ka arritur në Pruntrut. Atje, pa kurrfarë problemi ka biseduar me sipërmarrësit dhe iu është përgjigjur pyetjeve të parashtruara.
Kryetari zviceran nuk ka qenë i involvuar në aksident me veturën e tij zyrtare, por me një veturë civile të policisë kantonale të Jura. Edhe dy personat e veturës tjetër të aksidentuar, kanë kaluar pa lëndime trupore. Me rastin e këtij aksidenti, autostrada u mbyllë për dy orë të plota.