Afrim Gashi kërkon nga EVN-ja të bëjë lehtësime për shkak të krizës
Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i ka drejtuar të hënën një letër kryetarit të Këshillit Drejtues të “EVN Maqedoni”, Shtefan Peter, që – për shkak të gjendjen së krijuar nga pandemia – edhe kompania e shpërndarjes së rrymës elektrike (EVN) të mundësojë lehtësime, që qytetarët të mund ta përballojnë këtë krizë, shkruan Portalb.mk, transmeton Shtegu.com.
“Për këtë qëllim, ai ka kërkuar nga EVN-ja që gjatë kohës së krizës askush të mos shkyçet nga rryma elektrike vetëm për arsye se nuk ka arritur t’i përmbushë detyrimet ndaj kompanisë EVN, që rryma elektrike të llogaritet vetëm me tarifën e lirë, pastaj ka kërkuar që të hiqet tarifa industriale për bizneset private, por edhe që faturat e muajve të krizës të mos afatizohen fiks dhe ashtu të krijohen pasoja kamatore, si edhe mundësi që faturat e muajve mars, prill dhe maj të mund të paguhen me këste. Kryetari Gashi i ka kërkuar EVN-së që për rastet më të rënda sociale të mundësojë edhe një sasi të rrymës falas”, thonë nga Alternativa.
Ja edhe përmabjtja e plotë e kërkesës së Afrim Gashit:
Drejtuar:
z. Shtefan Peter,
kryetar i Këshillit Drejtues të “EVN Maqedoni”
I nderuari z. Peter, kam kënaqësi t’ju drejtohem me këtë letër para së gjithash duke uruar që të jeni mirë me shëndet dhe të mos keni shqetësime shëndetësore si pasojë e pandemisë që ka kaluar globin e, rrjedhimisht, edhe vendin tonë.
Arsyeja pse po ju drejtohem është kërkesa e madhe e njerëzve me të cilët unë komunikoj çdo ditë e të cilët ankohen se, për shkak të gjendjen së krijuar, e kanë problem shlyerjen e detyrimeve ndaj kompanisë suaj.
Ndonëse unë e kam të qartë angazhimin tuaj dhe lehtësimet që ju i keni ofruar shpesh për kategoritë sociale, do të doja t’ju lus që, në këtë kohë të krizës së madhe shëndetësore, ekonomike e sociale, ta shqyrtoni seriozisht kërkesën që të krijoni një paletë tjetër lehtësimesh për detyrimet që i kanë qytetarët ndaj jush. Në këtë drejtim disa nga propozimet e mia janë:
– Gjatë kohës së krizës të mos shkyçet askush nga rryma elektrike vetëm për arsye se nuk ka arritur t’i përmbushë detyrimet ndaj kompanisë EVN;
– Gjatë kohës së krizës të mundësoni që rryma elektrike të llogaritet vetëm me tarifën e lirë, që do të jetë një vullnet i mirë dhe empati e shprehur nga ana juaj ndaj gjendjes së krijuar;
– Të hiqet tarifa industriale për bizneset private, që në këtë kohë krize mezi arrijnë ta mbajnë veten;
– Të mundësoni që faturat e muajve të krizës të mos afatizohen fiks dhe ashtu të krijohen pasoja kamatore;
– Të mundësoni që qytetarët të kenë mundësi që faturat e muajve mars, prill dhe maj të mund t’i paguajnë edhe me këste;
– Ta shqyrtoni mundësinë që rastet më të rënda sociale të kenë një sasi falas të rrymës elektrike.
Duke e nënkuptuar se këto propozim i prekin interesat tuaja ekonomike, si dhe duke qenë i vetëdijshëm se çmimi i energjisë elektrike nuk varet vetëm nga EVN, do ju lus që këtë letër ta pranoni si lutje të shprehur nga një politikan, një deputet i deritanishëm ose, fundja, si një mesazh nga një qytetar vullnetmirë.
Me shpresë se kriza do të kalojë shpejt, ndërsa kujtimet e mira për solidaritetin tonë të ndërsjellë do të mbeten gjithmonë.
Me nderime!
Afrim Gashi
Shkup, 28.03.2020