Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, të enjten është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, me të cilin diskutoi çështjen e Kosovës dhe marrëveshjen e mundshme midis Beogradit dhe Prishtinës përpara nisjes së Vuçiqit për Moskë dhe Uashington
Kreu i shtetit serb theksoi se ai kishte marrë „vlerësime të caktuara nga Federata Ruse nga kreu i diplomacisë ruse, sipas së cilës i pret një periudhë shumë e vështirë në të cilën do të përballen me presione të mëdha në lidhje me Kosovën, në mënyrë që të realizojnë plane të mëdha, të cilat nuk i kanë pranuar as zyrtarisht, por edhe jozyrtarisht.
„Sot morëm vlerësime të caktuara nga Federata Ruse, d.m.th Lavrov, të cilat cilat mua si president më shqetësuan gjithashtu dhe ato kanë të bëjnë me plane dhe ide të ndryshme në lidhje me zgjidhjen e krizës së Kosovës“, deklaroi presidenti serb dhe theksoi se nuk dëshiron të fsheh se Serbia po përballet me një periudhë jashtëzakonisht të vështirë:
„Do të duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të vëmendshëm për të ndjekur çdo ide që na paraqitet“, ka paralajmëruar kreu i shtetit serb, informon Shtegu.com.
Ai tha se, nëse arrihet ndonjë zgjidhje, është e qartë „që Rusia gjithashtu do të duhet të deklarohet për këtë“, dhe se në të ardhmen do të jetë në „komunikim të përditshëm me Kremlinin për atë çështje“.
„Ne do t`i mbrojmë interesat tona, pavarësisht nga çmimi që do të duhet ta paguajmë“, deklaroi ai.
Vuçiq theksoi se qytetarët e Serbisë duhet të jenë të bashkuar në mbrojtjen e interesave të tyre sepse përpara janë kohë të vështira.
„Kur them e vështirë, mbase më e vështira në 12 vitet e fundit, që nga vetë-shpallja e pavarësisë. Është e rëndësishme që ta kuptojmë mirë pozicionin tonë, që jemi të gatshëm për bisedë dhe kompromis, por aq të fortë sa të hedhim poshtë ultimatumin dhe shantazhin“ – tha Vuçiq.
Lavrov theksoi se qëndrimi i Rusisë për çështjen e Kosovës nuk ndryshon dhe se ai do të mbështesë vendimin që i përshtatet Serbisë.
„Ne kemi konfirmuar edhe një herë se do të mbështesim të gjitha hapat dhe iniciativat që me të vërtetë do të ndihmojnë Beogradin dhe Prishtinën të arrijnë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB“, tha Lavrov.
Ai theksoi se nuk do të lejojë „afate kohore për zgjidhjen e problemeve me Kosovën“ dhe se BE-ja duhet të luftojë për realizimin e marrëveshjeve të arritura, të cilat janë duke u sabotuar nga shqiptarët e Kosovës:
„Zgjidhja duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të aprovohet nga Këshilli i Sigurimit i KB. Ne besojmë se nuk duhet të detyrohet dhe të futet në afate artificiale. Ne do të pajtohemi vetëm me vendimin që i përshtatet Serbisë. Ne do të mbrojmë pozicionet e Serbisë, e cila ka një rol të madh në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
„Nëse mendoni se është e mundur ta njohim Pavarësinë e Kosovës ose që Kosova të hyjë në KB dhe ne nuk marrim asgjë përveç premtimit për të qenë anëtare të BE, përgjigjja jonë do të jetë jo“, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se është „një çështje për Serbinë dhe jo për dikë tjetër „.
Në lidhje me spekulimet se Serbia do ta njohë Pavarësinë e Kosovës për Vidovdan, 28 qershor, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si i ftuar në TV Pink, tha se temat e bisedës në Uashington do të jenë ekonomia dhe investimet.
„Gjithçka mund të shihet për Vidovdan. Njerëzit do të jenë në gjendje të shohin se kush e tha të vërtetën, nëse Kosova do të njihet për Vidovdan apo ndonjë ditë tjetër. Kjo nuk do të ndodhë. Mos lejoni që njerëzit të mendojnë se ne po shkojmë kudo dhe në çdo kohë me një flamur të bardhë. Të gjitha deklaratat e Hotit, Thaçit dhe të tjerëve janë të kota“, tha Aleksandar Vuçiq.

