16:16:27 2016-01-21
Rojet financiare italiane kanë konfiskuar 93 kilogramë kokainë të pastër në pikën e doganimit në Sterzing. Deri më tani, ky është zbulimi më i madh i drogës në krahinë italiane të Tirolit Jugor dhe kapë vlerën prej disa milionave euro. Me këtë rast janë arrestuar dy shqiptarë, të cilët kishin kaluar nëpër tërë Tirolin Jugor.
Lënda narkotike ka qenë e fshehur në një veturë të llojit „Ford Kuga“ me autotarga gjermane, ndërsa hetimet për prejardhjen dhe destinacionin e saj janë në rrjedhë e sipër.
Sipas hetimeve të para kokaina është shumë e pastër, ndërsa vlerësohet me një çmim prej 18 deri 19 milionë euro, ka deklaruar komandanti i policisë në rajon, gjatë një konference për shtyp që është mbajtur të mërkurën, njofton „Shtegu.com“.
Dy shqiptarë të moshës 36-, dhe 42-vjeçare janë arrestuar. Nëpunësit e rojes financiare, veturën e kishin zbuluar të martën gjatë një kontrolli rutinë. Droga ka qenë e paketuar në 93 pako dhe e fshehur në vendin e gomës rezervë të veturës. Përpos kësaj, në veturë është gjetur edhe një dysheme me shtresë të dyfishtë, ndërsa droga e fshehur ka mundur të hapet vetëm në mënyrë elektronike, pasi ka qenë e vulosur.
Duket se droga ka ardhur nga Skandinavia, duke kaluar nëpër tërë Gjermaninë, përmes Tirolit. Policia italiane i ka arretsuar shqiptarët dhe ua ka konfiskuar celularët.

