Policia shqiptare shpëtoi 55 migrantë sirianë, përfshirë këtu edhe fëmijë, të cilët për të arritur Italinë fqinje, në mes të një stuhie u përpoqën të kalonin Detin Adriatik. Sipas shifrave të vendit, në një vit mbërritjet e migrantëve në Shqipëri janë trefishuar
Pesëdhjetë e pesë migrantë sirianë u shpëtuan dhe u sollën në bregdet nga autoritetet shqiptare pasi kaluan më shumë se tre orë në ujërat e ashpër të Adriatikut, ka deklarauar të shtunën policia shqiptare.
Sirianët e shpëtuar, përfshirë edhe fëmijët, u bllokuan në mot të keq në bordin e anijes së tyre pneumatike në brigjet e Shqipërisë, nga ku ata synonin të arrinin në Italinë e Jugut, kanë thënë nga policia e portit të Vlorës, në jug të vendit.
„Stuhi dhe valë të larta“
„Shpëtimi dhe evakuimi i personave në bord ndodhi në kushte shumë të këqija, në mes të një stuhie dhe valësh të larta“, thanë autoritetet.
Gjashtëmbëdhjetë nga pasagjerët, përfshirë tre fëmijë, u shtruan në spital dhe pjesa tjetër ka të ngjarë të dërgohet në një qendër migrantësh.
Që nga viti 2018 Shqipëria është bërë një vendkalim kyç në Itinerarin Ballkanik, një rrugë e preferuar për migrantët nga Azia, Afrika dhe Lindja e Mesme që dëshirojnë të arrijnë në Europën Perëndimore.
Gjithnjë e më shumë migrantë të bllokuar në Shqipëri
Në maj të vitit 2019, Frontex, agjencia europiane e rojeve kufitare, vendosi forcat e saj në këtë vend i cili nuk është ende pjesë e Bashkimit Europian për të ndihmuar shtetin e vogël për të luftuar kundër imigracionit të paligjshëm, shkruan portali „infomigrants.net“. Duke parandaluar migrantët të vazhdojnë udhëtimin e tyre në perëndim, Tirana shpreson të bindë vendet anëtare të hapin negociatat e anëtarësimit në BE.
Mirëpo, me mbylljen graduale të Itinerarit Ballkanik, gjithnjë e më shumë migrantë përfunduan të bllokuar në Shqipëri.
Pavarësisht nga pandemia Covid-19, sipas shifrave të policisë në vitin 2020 numri i migrantëve që kalojnë Shqipërinë u trefishua krahasuar me një vit më parë.
Sipas statistikave të siguruara nga qeveria shqiptare, viteve të fundit numri i migrantëve të mbërritur në Shqipëri tashmë ishte rritur ndjeshëm.

