Gjykata e rrethit të Bruggit do të duhet të dënojë një person me burg të përjetshëm për vrasje të dyfishtë në Hausen të Zvicrës. Kjo është ajo që ka kërkuar prokurori publik. Kosovari i atëhershëm 54-vjeçar, dyshohet se ka goditur për vdekje bashkëshorten dhe kunatën e tij në vitin 2018.
Fillimisht, prokurori publik kishte kërkuar një dënim me burg prej 20 vjetësh për vrasje të dyfishtë me dashje. Akuzat tani janë zgjeruar, njoftuan të mërkurën gjykatat e Kantonit të Aargaus, informon Shtegu.com.
Kosovari do të gjykohet duke filluar nga 23 nëntori. Procesi pritet të zgjasë tre ditë dhe do të zhvillohet në sallën polivalente në Hausen.
Prokurorët e konsiderojnë të provuar se burri vrau bashkëshorten e tij 38-vjeçare dhe motrën e saj 31-vjeçare, që të dyja me një thikë më 8 janar 2018. Arma e vrasjes, një thikë, u gjet në vendin e krimit. I akuzuari u arrestua në vend. Ai është në paraburgim.

