Asambleja Federale zvicerane ka vendosur: Catherine Reiter nga Rheintali, do të emërohet në instancën më të lartë gjyqësore në Konfederatë
Në zgjedhjet e përgjithshme të Gjykatës Federale zvicerane për mandatin e 2021-2026, disa pozicione të gjykatësve me kohë të pjesshme është dashur të plotësohen. Catherine Reiter u propozua nga të Gjelbrit dhe u zgjodh nga Asambleja Federale.
46-vjeçarja aktualisht është duke punuar si gjykatëse me orar të plotë në Gjykatën e rrethit Rheintal, si gjykatëse me kohë të pjesshme në Gjykatën administrative të Kantonit St.Gallen dhe si pedagoge për Ligjin federal në Universitetin e St.Gallenit, informon Shtegu.com. Para kësaj, ajo punoi si nëpunëse dhe gjykatëse zëvendësuese në Gjykatën e rrethit të Cyrihut, si avokate në UBS dhe si nënkryetare e shërbimeve ligjore dhe komunikimeve në Sekretariatin e përgjithshëm të Gjykatës Federale Administrative.
Ajo u promovua me doktoraturë në Universitetin e Cyrihut me një tezë mbi organizimin e gjykatës dhe aktualisht po punon për habilizimin e saj në fushën e së drejtës administrative. Fushat kryesore të interesit të Catherine Reiter janë e drejta publike (përfshirë të drejtat e njeriut), e drejta private e punës dhe etika juridike dhe e biznesit.
Nga viti 2008 e deri në 2010, Catherine Reiter ka punuar si eksperte për Departamentin Federal të Punëve të Jashtme (EDA) në Kosovë.
Në zgjedhjet nga Asambleja Federale, Catherine Reiter arriti një rezultat të shkëlqyeshëm me 230 nga 239 vota. Sipas një njoftimi për shtyp, të Gjelbrit e Kantonit St.Gallen janë krenarë që për herë të parë kanë një gjykatëse femër në gjykatën më të lartë të Konfederatës.

