Sipas prokurorit Jean-Pierre Gretter, në çështjen e këshilltarit kombëtar zviceran Jean-Luc Addor, janë përmbushur të gjithë elementet për diskriminim racor. Prandaj, prokurori kërkoi që dënimi i shqiptuar nga Gjykata e Rrethit në Sion nga muaji gusht 2017, të vërtetohej. Politikanin e SVP-së ajo e kishte dënuar me gjobë prej 60 normave ditore prej 300 frangave me provë dyvjeçare. Gjithashtu, ai ishte gjobitur edhe me 3,000 franga, ndërsa është dashur t`i paguaj edhe shpenzimet gjyqësore, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell Shtegu.com.
Avokati mbrojtës i Addorit, avokati nga Gjeneva, Marc Bonnant, e ka apeluar vendimin. Sikurse në procesin e shkallës së parë, Bonnant sërish kërkoi lirim nga akuza për klientin e tij. Ai argumentoi se Addor ishte përgjigjur „me ironi“ ndaj një artikulli për shtyp në mediat sociale, duke raportuar një „qërim hesapesh mafioze“ midis dy shqiptarëve. Kjo nuk do të thoshte se një musliman vrau një tjetër.
Deklaratat e diskutueshme të Addorit u nxitën nga një shkëmbim zjarri në një xhami të St. Gallenit më 22 gusht 2014, me ç`rast u vra një shqiptar 51-vjeçar. Vetëm disa minuta pas të shtënave, Addor shkruajti në Tëitter dhe Facebook: „Duam edhe më shumë ngjarje të tilla“. Pas këtyre deklaratave, Këshilli Qendror Islamik i Zvicrës kishte ngritur një padi penale kundër Addorit për diskriminim racor.
Vendimi i gjykatës kantonale do të publikohet me shkrim në një datë të mëvonshme.

