Mbrëmjen e së shtunës, në sallën polivalente në Charrat të Zvicrës, shoqata humanitare Medvegja kishte organizuar një mbrëmje për viktimat e tërmetit në Shqipëri.
„Ne jemi duke pritur një mbrëmje për të përkujtuar pavarësinë e Shqipërisë, të shpallur në 1912, dhe kemi vendosur të dhurojmë përfitimet për familjet e prekura. Kjo mbrëmje, e cila do t’u japë të gjithëve mundësinë për të treguar solidaritetin në prag të Krishtlindjes, është e hapur për të gjithë. Prandaj presim shumë prej jush”, ishte shprehur kryetari i shoqatës, Zenel Neziri për „Le Nouvelliste“, informon Shtegu.com.
Nuk ka dyshim se fotoja e shoqatës ka zgjuar kërshërinë e lexuesve zviceranë, të mahnitur nga veshja popullore e këtyre trojeve shqiptare.
Përndryshe, shoqata humanitare Medvegja nuk ndalet me aktivitete e saj humanitare dhe është shembull i një shoqate ku ruhen traditat dhe zakonet e popullit shqiptar në këto troje.
Shoqata në fjalë do të organizojë edhe tubimin vjetor që do të mbahet në Qendrën e SHHMZ , Route de Martigny 7, 1926 Fully, të dielën më 2 shkurt 2020, duke filluar nga ora 16h00.
Të pranishmit në njoftim do të njoftohen me punën dhe bilancin vjetor 2019 si dhe për planprogramin e punës për vitin 2020, ka njoftuar kryesia e shoqatës, me kryetarin Zenullah Namani.

