Të paktën 22 persona kanë humbur jetën nga tërmeti në pjesën lindore të Turqisë, ndërsa më shumë se 1 103 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në një deklaratë të përbashkët të ministrave të Shëndetësisë, Brendshme dhe Urbanizimit thuhet se, 18 viktima janë shënuar në provincën Elazig kurse 4 në Malatya. Ndërkohë 40 persona janë arritur që të shpëtohen nga rrënojat.
Dyshohet se, me dhjetëra të tjerë mbeten nën gërmadhat e ndërtesave të shembura nga lëkundja e fortë.
Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca ka deklaruar se, numri i viktimave mund të rritet. “Dimë që ka dhe rreth 30 persona që ndodhen nën rrënoja në Elazig dhe numri i viktimave nga tërmeti mund të rritet”, tha ai.
Sipas shifrave aktuale zyrtare, 922 persona janë nën kujdesin mjekësor për shkak të plagëve të marra.
Autoritetet raportojnë gjithashtu për dëme të shumta materiale dhe disa pallate të rrënuara, ndërkohë që njerëzi vijojnë të qëndrojnë në rrugë nga frika e një tjetër pas lëkundje të fortë.
Sipas Institutit të Kërkimeve për Tërmetet, goditja me magnitudë 6.8 i shkallës Rihter ndodhi në 20:55 sipas orës vendore.
Lëvizja sizmike kishte një thellësi prej 10 km, e cila është ndjekur dhe nga rreth tetë pasgoditje që shkonin përtej magnitudës 4 të shkallës Rihter.
Në qendër të Elazig, ekipet e kërkim shpëtimit kanë duke punuar për të nxjerr nga rrënojat njerëzit që mund të gjenden në gërmadhat e tre ndërtesave të shembura.
Në të gjithë zonën e prekur nga tërmeti gjenden në total mbi 3 420 persona që janë pjesë e ekipeve të kërkim shpëtimit, përfshirë dhe10 qen shpëtimi.
Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar që operacionet e kërkim shpëtimit të vijojnë 24 orë pa ndërprerje
Autoriteti i Menaxhimit të Emergjencave dhe Katastrofave bën të ditur se, 18 persona kanë humbur jetën në Elazig, përfshirë dy prej të cilëve kanë pësuar atak kardiak kurse katër të tjerë kanë vdekur në Malatya.
Mbi 500 persona u raportuan të kenë marrë ndihmë mjekësore deri në orët e mesnatës së të premtes. Disa godina janë shembur nga lëkundjet, shkruan Euronews.
Nga pamje në postuara në rrjetet sociale, në Elazig dhe në Sivrice, shfaqen pallate të rrëzuara dhe skuadrat e shpëtimit teksa kërkojnë nën rrënoja.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan lajmëroi se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të përballuar situatën.
Kreu i Prokurorisë Publike në Ankara ka bërë të ditur se ka nisur një hetim për postimet provokative në rrjetet sociale. Ndërkohë Ministria e Drejtësisë, ka nisur transferimin e rreth 800 të dënuarve nga një burg i dëmtuar nga tërmeti.
Qyteti më i madh në provincën Elazig ka një popullsi prej rreth 300 mijë banorësh.
Sipas raporteve të para, tërmeti është ndjerë dhe në disa provinca të tjera në lindje të Turqisë por dhe në Siri dhe Irak.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së qytetit Poturce, në jug të epiqendrës së tërmetit, tha për NBC News se janë shembur rreth 100 pallate në qytetin e tij, por deri më tani nuk ka të raportuar për viktima.
Turqia është një zonë e nxehtë sizmike ku për shkak të përplasjes së pllakës së Anadollit me atë arabike janë shënuar tërmete katastrofik përgjatë historisë.
Më shumë se 17 mijë persona humbën jetën dhe 43 mijë të tjerë u plagosën kur një tërmet me magnitudë 7,4 i shkallës Rihter goditi rajonin e Marmarasë për 37 sekonda në 17 gusht të vitit 1999.
Tre muaj më vonë, në 12 nëntor 1999, 845 persona humbën jetën dhe 5 mijë të tjerë u plagosën kur një tërmet me magnitudë 7.0 i shkallës Rihter goditi provincës Düzce. Euronews.al

