Një imam kosovar duhet të largohet nga Zvicra. Ai ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe përndryshe, kishte edhe pikëpamje në kundërshtim me ligjin zviceran. Kantoni i St. Gallenit me të drejtë hoqi dorë nga prolongimi i lejes së qëndrimit.
Imami i St. Gallenit E. D. (37) duhet të largohet nga Zvicra, shkruan “Blick”, përcjell Shtegu.com. Kantoni i St. Gallenit me të drejtë nuk ia rinovoi kosovarit lejen e qëndrimit. Kjo është vendosur nga Gjykata Supreme Federale zvicerane. Imami ka ushtruar dhunë fizike dhe seksuale ndaj bashkëshortes së tij, kështu që ajo është dashur të zhvendoset në strehimoren e grave.
Meqenëse gruaja nga Singapori me katër fëmijët gjetën mbrojtje në strehimoren e grave në dhjetor 2015, çifti jetonte ndaras. Partnerja e re e imamit lindi një djalë, një vit më vonë. Kjo u bë publike nga një verdikt i publikuar të martën nga Gjykata Federale.
Zyra e migracionit e Kantonit St. Gallen, kosovarit nuk ia rinovoi lejen e qëndrimit në mars 2017. Të gjitha instancat hodhën poshtë ankesën e tij ndaj këtij vendimi, informon më tej Shtegu.com. Në Gjykatën Federale, imami ishte mbështetur në mbrojtjen e jetës private në përputhje me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata Supreme Federale mbështeti mendimin e Gjykatës Administrative në St. Gallen. Kjo deklaroi se kosovari në Zvicër kishte ardhur në moshën 26-vjeçare dhe më pak se dhjetë vite kishte kaluar këtu. Pikëpamjet e tij për të drejtat e tij si burrë dhe obligimet e grave janë në kundërshtim me ligjin zviceran dhe vlerat lokale.
Instanca më e ulët, deklaratat e gruas për policinë dhe autoritetet i vlerësoi si të besueshme. Gruaja dëshmoi se burri i saj kishte përdorur dhunë fizike, mendore dhe seksuale kundër saj. Po ashtu, partnerja e re nuk guxonte ta linte më banesën e përbashkët pa pëlqimin e tij për shkak të paraqitjes dhe manipulimit të imamit.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme Federale shkruan se ka indikacione të ndryshme që kosovari nuk është i njohur me sistemin e vlerave shoqërore dhe juridike të Zvicrës dhe nuk i respekton ato, njofton Shtegu.com. Kjo vlen veçanërisht për barazinë kushtetuese të grave dhe burrave.
Në vitin 2014, në një intervistë të Televizionit shtetëror zviceran SRF u pyet, se sa të integruar janë imamët në Zvicër. Ai, atëherë tha se ndryshe nga imamët e tjerë, kurset në gjermanisht i kishte ndjekur herët dhe i pagoi vetë. „Por ka imamë që janë në Zvicër për 10 ose 15 vite dhe vetëm tani fillojnë kurset e gjermanishtes. Është tepër vonë. Gjuha gjermane është çelësi i integrimit dhe studimit shkencor „, kishte deklaruar E. D.

