12 përfaqësues të popullit, 7 deputetë të VMRO-DPMNE-së , 4 të LSDM-së dhe një deputet i BDI-së shfrytëzojnë shpenzime të dyfishta në llogari të shtetit. Sipas hulumtimit të kryer nga Qendra për gazetari hulumtuese SCOOP-i, për vitin 2018, 76 deputetë kanë shpenzuar 400 e 96 mijë euro për shpenzime udhëtimi. Sipas gazetarit të SCOOP-it, Xhelal Neziri, edhepse rregullorja e Kuvendit ua lejon që deputetët të cilët nuk janë nga Shkupi, në llogari të shtetit të shfrytëzojnë edhe banesa me qira dhe shpenzime transporti gjatë fundjavave, por, përsëri shfrytëzimi i privilegjeve të dyfishta në maksimum nga ana e funksionarëve shtetërorë është joetike dhe kësaj praktike duhet t’i vihet fundi.
“Ju e keni rastin e deputetëve që shfrytëzojnë edhe banesa edhe shpenzime për udhëtim, ndërkohë që limiti është 400 euro për qira në muaj dhe të gjithë janë diku afër maksimumit që shfrytëzohen si shpenzime. Në anën tjetër kemi edhe shpenzime të larta që i marrin për udhëtimin e tyre nga qyteti i lindjes e deri në Shkup. Këtu duket tendenca që deputetët jo t’i mbulojnë harxhimet reale që i kanë por në fakt të përfitojnë nga ato shpenzime që i bëjnë. Pra është jo etike që deputetët të shfrytëzojnë privilegje të dyfishta, është jo etike kur në vend kemi zjarrfikës që punojnë me mjete që janë deri 50 vite të vjetërsuara, kemi njësinë e ndihmës të shpejtë që funksionojnë me vetura të vjetra deri 15 vite”, tha Xhelal Neziri, analist.
Ndër deputetët të cilët shfrytëzojnë privilegje të dyfishta janë:
Lista e deputetëve të VMRO-DPMNE-së me shpenzime të dyfishta
Liljana Zaturoska nga Manastiri
Liljana Kuzamnovska nga Manastiri
Ane Leshkoska nga Prilepi
Bllagica Llaskovska nga Shtipi
Magdalena Manaskova nga Koçani
Nada Cipusheva nga Radovishi
Deputetët e LSDM-së me shpenzime të dyfishta
Katerina Kuzmanovska nga Strumica
Keti Smileska nga Prilepi
Meri Llazarova nga Kavadari
Me shpenzime të dyfishta është edhe deputeti më i vjetër, Branko Manojllovski nga BDI-ja, i lindur në fshatin Kiçinicë të Rekës së Epërme.
Ndërsa Aleksandar Kiracovski nga Manastiri dhe Ilija Dimovski nga Velesi janë ndër emrat më të spikatur ndër dymbëdhjetë deputetët. Shteti vitin e kaluar ia ka paguar Kiracovskit qiranë në vlerë prej 390 eurosh, ndërsa në katër muajt e fundit të vitit 2018 në emër të shpenzimeve të udhëtimit ka marrë diku 1000 euro. Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE-ja, shteti i paguan qira 370 euro, ndërsa ka marrë njëzet mijë denarë në emër të shpenzimeve të udhëtimit.
Nga Kuvendi thonë se në përputhje me Ligjin për deputetë, secili deputet që jeton jashtë Shkupit ka të drejtën e një banesë me qira dhe që gjatë fundjavës, gjatë festave të shkojnë në shtëpi. Për këtë ata marrin 20 % për çdo kilometër të kaluar varësisht nga vlera e derivatit.
Gjithashtu vegla e llogaridhënies e Qeverisë për shpenzimet e bartësve të funksioneve publike, nuk ka asnjë të dhënë për shpenzimet e funksionarëve për vitin 2019. Të gjitha të dhënat janë për vitet e mëparshme.
“Tash do t’i kemi shumë shpejt, i presim deri në fund të kësaj jave ose javën e ardhshme do të publikohen. Për shkak të pushimeve vjetore, periudhës se nxehtë politike dhe për shkak të verifikimit të të dhënave, pak janë shtyrë, por shumë shpejt do të publikohen”, u shpreh Rober Popovski, ministër për Transparencë dhe Llogaridhënie.
Sipas hulumtimit të kryer gjithashtu janë edhe dy deputetë që shfrytëzojnë banesa në llogari të shtetit por nuk shpenzojnë për harxhimet e rrugës./TV21

