Përmes një video porosie, kryeministri Zoran Zaev ka ftuar opozitën që të ndërpresë bojkotin e reformave dhe të mbështesë ligjin e ri për Prokurorinë Publike, që sipas tij ka për qëllim ti jep fund shtetit të robëruar. Me këtë ligj, kreu i Qeverisë zotohet se do të luftohet krimi dhe korrupsioni dhe sistemi i drejtësisë do të çlirohet nga prangat e regjimit të kaluar.
Zoran Zaev, kryeministër
“Ne jemi para hapit përfundimtar për çlirimin e gjyqësorit nga prangat e regjimit që është pas nesh. Është e madhe përgjegjësia e partive politike në këtë luftë për shtetin e së drejtës. Por përgjegjësi më të madhe ka partia që i solli padrejtësi shtetit dhe Mickovski si njeri i parë i asaj partie. E di se ju qytetarët jeni të lodhur nga bojkotet politike dhe prolongimet dhe se kërkoni hapa vendimtar. Prandaj unë do të vazhdoj edhe më me vendosmëri ta ftoj dhe ta bind opozitën ti mbështesë reformat”
Kryeministri Zoran Zaev shprehet i vendosur se me ligjin e ri dhe në luftën e re kundër krimit dhe korrupsionit nuk do të kursehet askush dhe as nuk planifikohet të amnistohet asnjë individ, pa marrë parasyshë se kush do të preket nga hetimet e prokurorisë. Reforma në drejtësi sipas Zaevit është shtylla kryesore për një jetë më të mirë në vend.
Zoran Zaev, kryeministër
“Kjo është koha kur drejtësia del në shesh, koha kur nuk guxojmë të ketë kursime në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Askush nuk është i privilegjuar dhe askush nuk do të jetë i amnistuar. E inkrajojmë Prokurorinë Publike të vazhdojë deri në fund në këtë luftë, pa dallim deri te kush do të arrijë gjatë hetimit. Është koha për humbjen përfundimtare të shtetit të robëruar. Ju ftoj të gjithëve ti mbështesim zgjidhjet me të cilat i rrumbullaksojmë reformat, për jetë më të mirë në këtë mozaikun tonë të bukur, në këtë shoqërinë tonë të përbashkët”
Ky mesazh vjen në një fazë kur grupet partiake ndërprenë bisedimet rreth ligjit të Prokurorisë Publike me qëndrime diametralisht të kundërta për çështjet thelbësore të vetë ligjit. Ata vendosën që bisedimet të rifillojnë pas përfundimit të pushimeve vjetore, gjegjësisht nga 15 gushti. Pushteti dhe opozita ende kanë qëndrime të ndara për fatin e lëndëve të hapura nga Prokuroria Speciale Publike pas afatit 18 mujor që nga themelimi i kësaj prokurorie./Shenja
Zaev fton opozitën të mbështes Ligjin për Prokurorinë (Video)
Date:

