Qeveria do t’i shkarkojë udhëheqësit e 31 drejtorive, kryesuesit dhe anëtarët e 40 bordeve, agjencive dhe inspektorateve. Kryeministri Zoran Zaev theksoi se shkarkimi i 75 zyrtarëve vjen si pasojë e mos realizimit të investimeve kapitale, bllokimit të proceseve dhe vlerësimeve negative nga institucionet ndërkombëtare. Pothuajse gjysma e udhëheqësve që janë propozuar për shkarkim janë shqiptarë, ndërsa në mesin e propozimeve ka edhe poste të cilat i takojnë edhe partive rome në koalicionin qeverisës.
Mos realizimi i investimeve kapitale, bllokimi i proceseve, vërejtjet e institucioneve ndërkombëtare për procese të caktuara, mungesa e transparencës, mos respektimi i vendimeve të Qeverisë, menaxhimi i dobët me financa dhe përmirësimi i punës së institucionit etj”.- tha Zoran Zaev, Kryeministër
Pavarësisht se shkarkohen për arsyet e lartpërmendura, Zaev konfirmoi se një pjesë udhëheqësve të shkarkuar mund të riemërohen në institucione të tjera.
Në mesin e kompanive të cilat preken nga fshesa e kryeministri Zaev janë edhe MEPSO dhe ELEM, ndërmarrjet publike “Rrugët e Maqedonisë”, “Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura”, etj. Ashtu edhe siç kishte njoftuar Alsat për disa herë me radhë, kuadro të BDI-së që u prekën nga fshesa janë: Bardhyl Nasufi, drejtor i Byrosë për Furnizime Publike, Vullnet Ademi, drejtor i Agjencisë për Investime të huaja, Gajur Kadriu, drejtor i ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë”, Irfan Asani drejtor në “Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura” dhe të tjerë. Nga rikonstruimi nuk u prek vetëm Shkodrane Dardhishta e cila do të vazhdojë të menaxhojë me Qendrën për shërbime në Klinika në kuadër të QKU-së. Pas miratimit të propozimeve për shkarkime, propozimet për emërimet e reja do të bëhen në harmonizim me ministritë dhe bordet udhëheqëse të institucioneve./Alsat

