17:10:58 2019-03-02
Sulmet fizike dhe verbale ndaj punëtorëve, janë rendi i ditës në Spitalin Insel të Bernës. Vitin e kaluar ka pasur rreth 1200 sulme, që paraqet një rritje dramatike.
Punëtorët e Spitalit Insel të Bernës, gjithnjë e më shumë po sulmohen fizikisht apo verbalisht, shkruajnë mediat zvicerane, njofton Shtegu.com. Sipas Monika Kugemann, nga marketingu dhe komunikimi i spitalit, dhuna ndaj stafit në departamentin e emergjencës, ka qenë në rritje. Vitin e kaluar, rreth tre herë në ditë, stafi i spitalit është dashur të kërkojë përforcim.
Sondazhet tregojnë se gjatë vitit të kaluar ka pasur rreth 1200 incidente në qendrën emergjente, me ç`rast është dashur të intervenojë sigurimi i spitalit. „Kjo tregon se diçka në shoqëri po ndodh, që nuk duhet të jetë kështu. Kjo më frikëson shumë“, thotë Aristomenis Exadaktylos, mjek superior dhe drejtor i qendrës emergjente, përmes Radio Energy Bern.
Incidentet janë rritur për 33 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Në vitin 2016 kishte rreth 600 sulme. Infermieret janë më të prekura, sepse ato punojnë me pacientët në të shumtën e kohës. „Kjo është arsyeja përse shumica e viktimave të agresionit janë gra“, thotë Kugemann.
Jo vetëm sulmet fizike, por punëtorët i kanë përjetuar edhe ato verbale. „Kërcënimet me jetë janë traumatike, sidomos për punëtorët tanë më të rinj“, thotë Exadaktylos. Një kërcënim me vdekje, mund të jetë më i keq se një grusht në stomak.
Cila është arsyeja që po realizohen gjithnjë e më shumë sulme? „Alkooli dhe drogat janë veçanërisht të zakonshme tek pacientët agresivë“, thotë mjeku, njofton Shtegu.com. Por, ka edhe një tjetër arsye: Problemet mendore mund të çojnë gjithashtu në dhunë.
Qendra emergjente rregullisht i trajnon të gjithë të punësuarit për t’u mbrojtur nga agresioni, por edhe si ta parandalojnë atë. Nga ana tjetër, janë ndërmarrë masa strukturore. Sporteli i pranimit tani ka tre njësi kalimi. Këto mund të mbyllen për t`u mbrojtur më mirë punonjësit.

