Pensionistët gjermanë mahniten me Drekën e Bajramit që e hëngrën në Peshkopi

120 Lexime

15:39:12                 2017-11-22

 

 

Ngjarja zhvillohet në dy qytete, ate të Peshkopisë dhe Meppen të Gjermanisë. Rrafsh para një viti, familja pesanëtarëshe shqiptare Sefullaj, është dashur të kthehet përsëri në Shqipëri. Prindi, Dritani nuk ka parë ndonjë perspektivë të qëndrojë në Meppen të Gjermanisë, pasi nuk ka pasur të drejtë të punojë. Tani, familja shqiptare ka pranuar mysafirë nga Meppeni.

 

 

Deri në kthimin e tyre në nëntor të vitit të kaluar, Betina dhe Dritan Sefullaj dhe tre fëmijët e tyre Sidriti 11, Serhati 5 dhe Seibeta 2-vjeçare, në Gjermani veten e kanë ndjerë shumë të lumtur. „Dritani është një person shumë i dashur“, e përkujton me dëshirë përfaqësuesja e integrimit në Meppen, Elisabeth Mecklenburg. Ai shpeshëherë është angazhuar vullnetarisht. Se ai është një mjeshtër i mrekullueshëm, ka dëshmuar edhe në ndërtimin e interierit të kafenesë „Cafés International“ në rrugën „Kirchstrasse“. „Ai gjithnjë ishte në dispozicion. Bile edhe ditën kur i erdhi letra nga autoritetet gjermane për të huaj, që vullnetarisht të largohet nga Gjermania, ose përndryshe do të dëbohej, ai ka qenë në vendin e punës duke punuar falas“.

 

Për familjen shqiptare në Meppen janë përkujdesur edhe çifti pensionist gjerman, Gundi Bode dhe Carlo Lamberti. „Ishin shumë të dashur“, pohojnë që të dy për „Osnabrücker Zeitung“, përcjellë portali „Shtegu.com“. Bile fëmijët kanë qenë aq të afërt me ta, sa që i kanë pagëzuar me „gjysh“ dhe „gjyshe“. Së bashku, ata kanë ndërmarrë shumë aktivitete, ndërsa fëmijët kanë kaluar natën shpeshëherë tek ta. Në përgjithësi, familja shqiptare ka qenë shumë mirë e integruar. „Dritani me çdo kusht ka dashur të punojë“, pohon Carlo Lamberti. Për ate ai kishte ardhur në Gjermani, pasi në Shqipëri është papunësi e madhe. Dritani i ka provuar të gjitha përpjekjet për tu punësuar, si pranë autoriteteve lokale, poashtu edhe tek Agjencia federale për punë në Nürnberg, por pa sukses. Shqiptarit rregullisht i refuzohej leja për punë. Megjithatë, ai e përvetësoi gjuhën gjermane rrjedhshëm gjatë vijimit të kursit në kolegjin popullor, bile dy ditë para se të kthehej e kishte dhënë një provim të rëndë për gjuhë.

 

Por, familja Sefullaj më pas u kthye vullnetarisht në Shqipëri, duke marrë me vete gjithçka që patën dhe për tre ditë arritën në qytetin e tyre, Peshkopi. „I pajisëm me ushqim për udhëtimin e gjatë“, i përkujton ato çaste Gundi Bode. Para se të fillonin udhëtimin, ata iu falënderuan të gjithëve për kujdesin ndaj tyre.

 

Kontakti me familjen shqiptare asnjëherë nuk u ndërpre. „Disa herë na ftuan që të shkojmë në Shqipëri“. Më në fund, Gundi Bode dhe Carlo Lamberti vendosën të shkojnë me një automjet banimi për në Shqipëri. Me këtë rast, udhëtimi u doli shumë më i vështirë se sa kishin planifikuar. Fillimisht ata shkuan në vend të gabuar, ndërsa 100 kilometrat e fundit i bënë nëpër rrugë të dëmtuara me një pejsazh malor.

Por, gjashtë ditët e kaluara në Peshkopi ia vlenë për peripecitë e përjetuara. „Ishte shumë moment emocional, të gjithë na pranuan shumë ngrohtësisht. Familja pesanëtarëshe jetonte në një banesë dydhomëshe që për kushtet shqiptare ishte mesatare. Megjithatë, banesa ishte në gjendje të mjerueshme, ujë kishte vetëm një orë gjatë ditës. Bashkëshortja Betina punonte si edukatore në një çerdhe fëmijësh. Duke iu falënderuar kontakteve familjare, Dritani ka organizuar një makinë për përgatitje të brumit. „Ai është duke e furnizuar gastronominë në rrethinë me produkte të brumit“, vazhdon më tej Lamberti. Fitimi është 35 centë për një kilogram, ndërsa Dritani edhe më tej është në kërkim të një vendi të punës. Fëmijët e moshuar janë duke e vijuar shkollimin. Pesëdhjetë fëmijë në një klasë është gjë normale për një komunë me 19 mijë banorë.

Gjatë qëndrimit të tyre në Peshkopi, Gundi Bode dhe Carlo Lamberti pranuan ftesa për darkë nga gjyshërit përkatës të çiftit bashkëshortor shqiptar. Atëbotë, ata qëlluan për Festën e Bajramit. „Festuam me familjen e madhe. Vërtetë u kënaqëm, por edhe shijuam peshkun e përgatitur mirë“, deklarojnë mysafirët gjermanë. Dritani u kishte siguruar edhe fjetjen, duke mos i lënë që të shkojnë në hotel.

Më pas vijuan shkëmbimet reciproke të dhuratave, ndërsa Dritani i përcjelli miqtë gjermanë për shtatë orë të tëra deri në autostradë. „Ishte një mikpritje e mrekullueshme dhe ne presim që edhe ata të na vizitojnë në Meppen. (Shtegu.com)