16:33:28h 2019-08-10
Miliona euro shpenzohen gjatë këtyre dy muajve nga mërmigtarët heronj, të cilët me paratë e tyre mund të shkojnë edhe në vendet më të bukura bregdetare, por jo, zgjedhin vendlindjen e tyre. Faliminderit mërgimtarë që po e mbani gjallë këtë vend që e udhëheqin ca horra dhe batakçinj
Muhamer Pajaziti
Kur vijnë mërgimtarët fillon jeta në Maqedoninë e Veriut. Qytetet e zbrazura dhe të heshtura ngjallen për një kohë të shkurtër. Gëzohet nëna, babai dhe e gjithë familja, gëzohen edhe tregtarët dhe të gjithë sipërmarrësit… Me mërgimtarët fillojnë dasmat dhe ahengjet, muzika dhe daullet i bashkojnë familjet, miqtë dhe dashamirët.
Falë mërgimtarëve, në muajt e verës Maqedonia e Veriut duket sikur një vend turistik, kafenetë, restorantet, sheshet dhe shetitoret përplotë me njerëz.
Vetura të bukura, veshje me stil dhe të rinj e të reja që dalin shpeshherë edhe për të njoftuar shoqëri të re.
Miliona euro shpenzohen gjatë këtyre dy muajve nga mërmigtarët heronj, të cilët me paratë e tyre mund të shkojnë edhe në vendet më të bukura bregdetare, por jo, zgjedhin vendlindjen e tyre.
Për vendlindjen e farefisin akoma ëndërrojnë e kanë respekt, kjo është një vlerë që nuk mund të mohoet. Shpresojmë kjo traditë të vazhdojë edhe nga gjeneratat e reja.
E keqja është që shteti dhe politikanët e korruptuar vjedhin paratë e tyre që i marrin përmes taksave dhe nuk investojnë për të përmirësuar dhe rritur standardin e jetesës në këto anë.
Asnjë trajtim për mërgimtarët të cilët vijnë e mbajnë gjallë ekonominë e vendit. Me ikjen e tyre, gjithçka zbehet dhe sikur vdes.
Qetësi absolute dhe u kundërta e saj që u përmend më lartë. Mbesin të moshuarit me zemra të thyera, me mendje dhe shpirt te fëmijët e tyre, me shpresën se do t`i shohin së shpejti gjatë pushimit dimor apo pranveror.
Ju falënderoj mërgimtarë që po e mbani gjallë këtë vend që e udhëheqin ca horra dhe batakçinj. (INA)

