1.500 euro për një vizë të falsifikuar zvicerane
09:02:05 2016-02-04
Një kosovare kishte tentuar të udhëtojë në Gjermani me një vizë të falsifikuar zvicerane. Ministria e Jashtme zvicerane (EDA) e ka konfirmuar problemin me ofruesit ilegalë të vizave.
Një kosovare 15-vjeçare, të dielën ka tentuar të udhëtojë për në Gjermani me një vizë zvicerane. Por, në oikën kufitare të aeroportit të Mynihut, policia gjermane ka vërtetuar se kjo vizë ka qenë e falsifikuar.
Vajza ka qenë nën shoqërimin e vëllait të saj dhjetë vite më të moshuar, ka pohuar policia federale. Ky i fundit ka deklaruar se së bashku me motrën kishin shkuar në Ambasadën e Zvicrës në Prishtinë, ku edhe e kishin marrë vizën. Një farefis i tij i kishte premtuar se po t`ia jepte 1.500 euro, do t`ia rregullonte vizën në mënyrë konfidenciale.
Për të arritur deri te një vizë e falsifikuar në Kosovë, si duket nuk është aq vështirë. E përditshmja zvicerane „20 Minuten“ ka arritur të kontaktojënjë kosovar, i cili i ka konfirmuar se „Në Kosovë është gjithçka e mundur, pasi bëhet fjalë vetëm për para“.
Ai, personalisht e kishte paguar një vizë biznesi fallse poloneze, për 2.800 euro. Me të njëjtën, ai ka mundur të udhëtojë me autobus për në Mynih, Cyrih dhe Gjenevë.
Gjatë vitit të kaluar, kufitarët kanë zbuluar mbi 2.000 dokumente fallse. „Por, vetëm një pjesë e vogël e tyre janë viza“, ka spjeguar për „20 Minuten“ zëdhënësi Attila Lardori. „Kur është fjala te shumica e dokumenteve të falsifikuara, bëhet fjalë për lejeqëndrime, pasaporta, letërnjoftime apo patentë shoferi“, shkruan në një artikull më të gjerë „20 Minuten“, njofton „Shtegu.com“.