Yjet e lënë në harresë nga shteti të cilit i dhuruan shumë

70 Lexime

Nuk është e mundur që bashkëkombasit tanë që jetojnë në Friburg, Bernë e rrethinë të mos e njohin kampionin e shumëfishtë në mundje në ish Jugosllavi, pjesëmarrës në kampionatet botërore e evropiane, fitues i medaljes së bronztë në Lojërat Mesdhetare, disa medaljeve në garat ballkanike e shumë e shumë arritjeve në këtë sport luftarak, Shaip Bajramin. Po ku është aktualisht Shaipi, me se merret, pse aq pak mediet shqiptare shkruajnë për legjendat e sportit shqiptar në trojet e ish Jugosllavisë.

 

I qeshur si gjithnjë, i gatshëm për shaka dhe bisedë me secilin do njeri, në disponim të lartë, Shaipin e takuam në një sipërmarrje të madhe tregtare në Friburg të Zvicrës. Edhe pse në moshë jo edhe aq të re, në dekadën e gjashtë të jetës, me 56 vitet e tij, por me vitalitetin dhe freskinë fizike, ai duket sikur të jetë në periudhën më të mirë të jetës.

 

„Isha 48-vjeçar, kur mu dha rasti të jem rival i një zvicerani 25 vite më i ri se unë, mundës i rregullt i një ekipi nga liga profesionale e Zvicrës. Askujt nuk ia mbusha mendjen, të gjithë më shihnin të shtrirë përtoke dhe më shikonin me keqardhje, sikur thoshin me vetveten: Cfarë kërkon ky njeri në këtë moshë? Brenda më pak se një minuti, kundërshtari u gjend në shpinë. Të gjithë mbetën të mahnitur e gojëhapur. E provoi edhe një tjetër, edhe ate e gjunjëzova shumë shpejt. Edhe një tjetër e një tjetër, e kështu me radhë. Të gjithë i mposhta, ndërsa më vonë, disa filluan të iknin nëpër sallën e sportit për ti shpëtuar më të keqes“, i përkujton disa momente të jetës së tij si mërgimtar i suksesshëm në Zvicër.

 

Edhe pse larg atdheut, me punë të rregullt si edhe çdo mërgimtar, ai gjente kohë edhe ta vazhdojë aktivitetin e tij si trajner e mësues i të rinjve në sportin e mundjes. Më pas, ai vendosi që të bëhet gjyqtar i këtij sporti dhe me sukses të madh e me një renome të pashoqe, është duke ndarë drejtësinë në sportin e mundjes zvicerane.

 

Lidhur me perspektivën e mundësve të rinj shqiptarë, ai ka përgëzuar talentet e rinj të mundjes, në veçanti Jasin Rexhallarin e Elmedin Sejfullahun, prej të cilëve pret rezultate edhe më të mira në arenën ndërkombëtare. „Mundësit më të mirë në Maqedoni nuk kanë konkurrencë të denjë në vend dhe rregullisht janë më të mirët. Por, në arenën ndërkombëtare ka sportistë shumë të përgatitur dhe ata duhet të jenë të kujdesshëm. Të mos bien pre e vetëkënaqësisë: Unë jam më i miri.

 

„Për në fund do ta kisha veçuar edhe talentin e KM Shkupi, Adi Adili, i cili jeton në Francë dhe frymëzohet nga i ati i tij Hamdi Adili, i cili gjithashtu është tifoz dhe sportist i flaktë i sportit të mundjes“, ka përfunduar Shaip Bajrami, sportisti që i dha shumë Maqedonisë, por, e cila e la në harresë me dekada të tëra.