Në Vizbeg të Shkupit ka filluar të ndërtohet rrjeti i kanalizimit. Punimet po bëhen deri tek vendi ku është planifikuar edhe ndërtimi i shkollës fillore. Kjo iu dha një sinjal banorëve se shkolla e shumëkërkuar me të vërtetë do të ndërtohet.
Gëzimin për këtë sihariq banorët po e shprehin me traditë.
“Këtë fli e kemi bërë sot veç për shkollën”, tha një banor.
Eskavatori shkoi herët në Vizbeg, për të nisur gërryerjen e kanalizimit.
Nebiu lutet dhe shpreson që puna që është filluar për shkollën, të kryhet deri në fund.
“Unë i pyeta punëtoret se çfarë do të punojnë këtu. Ato thanë se kemi ardhur për ta ndërtuar, kanalizimin, rrymën dhe ujin për shkollën.
Dikur ja nisin me ardhur dy kamion me zhavorr, erdhi edhe një ekskavatorë, mendova se po fillojnë menjëherë punën, por nuk e di çka u bë. Tani po presim dashtë Zoti ja fillojnë punën edhe nuk na lajnë kështu”, deklaroi Nebi Ibrahimi.
Naim Saliu, këshilltar në komunën e Butelit konfirmoi që kanalizimi do të jetë deri tek vendi ku do të ndërtohet shkolla.
“Pasi që mbaruam të gjitha procedurat për kanalizimin fekal për shkollën e Vizbegut, filluan punimet për rregullimin e kanalizimit fekal. Pasi të mbarojë kjo, do të fillojmë me ndërtimin e ujësjellësit.
Pastaj do të shtrohet me asfalt rruga deri tek vendi ku do të ndërtohet shkolla”, tha këshilltari i BDI-së në Butel, Naim Saliu.
E deri sa të ndërtohet shkolla nxënësit e Vizbegut kanë sfida.
Për të parë punimet për ndërtimin e kanalizimit ishte edhe kryeministri teknik Oliver Spasovski dhe kryetari i komunës së Butelit Velimir Smilevski, si dhe ministri i transportit dhe lidhjeve Goran Sugarevski.
Ministri i arsimit Arbër Ademi para disa ditëve për TV21 tha se përgatitja e dokumentacionit për ndërtimin e shkollës, është nga fundi dhe se së shpejti pritet të shpallet tenderimi për zgjedhjen e kompanisë e cila do ta realizojë projektin. TV21

