Vërshim ankesash për ndërtim të xhamisë në Zvicër

50 Lexime

Në restorantin „Landhaus“ në Muttenz të Zvicrës, është paraparë të hapet një lokal për falje të myslimanëve. Por, shumë kundërshtarë të këtij projekti nuk dëshirojnë ndryshimin e përdorimit të objektit. Nga ana tjetër, bashkësia islame është treguar e matur.

Restoranti „Landhaus“ në Römerburg të Muttenzit në Zvicër, është dashur të shndërrohet pjesërisht në një lokal për lutje. Pas publikimit të këtij lajmi, janë paraqitur edhe kundërshtarët e parë. Kështu pra, politikani i SVP-së, nga Muttenzi, Dominik Straumann e ka kundërshtuar planin duke spjeguar se lokali nuk është i përshtatshëm për xhami.

Tani, projektit të bashkësisë islame të boshnjakëve në Zvicër, i janë paraqitur barriera të shumta. Ajo e kishte blerë tokën e këtij objekti gjatë verës dhe përfshin një sipërfaqe prej 4.000 metrash katrorë. „Ka pasur shumë ankesa lidhur me ndryshimin e përdorimit të objektit“, ka pohuar për „20 Minuten“ Dieter Leutwyler, udhëheqës i ndërtimit dhe ruajtjes së mjedisit urban në Baselland. Në këtë mënyrë, procedura e miratimit të planit është prolonguar. Ende nuk dihet se kush ka bërë ankesë dhe sa të tilla janë parashtruar. Por, një gjë është e sigurt: Komuna Muttenz nuk është njëra nga to. „Bëhet fjalë për një objekt që është blerë në mënyrë private dhe do të ketë përdorim privat. Ne nuk shohim arsye që ta kundërshtojmë këtë projekt“, ka deklaruar këshilltari i Komunës, Thomi Jourdan.

Reagimet dhe kundërshtimet nuk e kanë befasuar aspak, kryetarin e bashkësisë islame të boshnjakëve Edin Kilim. „Çdokush ka të drejtë të mendojë si të dojë. Pra, ka edhe njerëz të cilët mendojnë negativisht, por ka edhe të atillë të cilët kanë një qëndrim pozitiv“, deklaron ai, transmeton „Shtegu.com“. Se sa do të ndikojë vonesa në vazhdimin e projektit, ai nuk e di. „Për këtë çështje është duke u përkujdesur një arkitekt“. Bëhet fjalë për një projekt nga zemra, për të cilin tash e 15 vite u tubuan të holla. Shuma prej 1,7 milionë frangave zvicerane ishte tubuar gjatë viteve nga kursimet dhe anëtarësia.

„Financat i kemi trajtuar gjithnjë në mënyrë transparente. Gjithçka është verifikuar dhe të gjitha janë qind për qind legale“. Fundi-fundit, para se ta blejnë lokalin, ata kishin pasur disa takime me Komunën e cila ishte dëshmuar e besueshme ndaj tyre. Kilimi është i sigurt: „Shumica e njerëzve kanë shumë pak infomata për ne boshnjakët“. Me këtë rast, janë shkaktuar shumë keqkuptime lidhur me ndërtimin në fjalë. „Disa gjithnjë pohojnë se bëhet fjalë për një xhami, por bëhet fjalë vetëm për një lokal për tu falur“, ka spjeguar ai, duke përfunduar: „Dyert do të jenë gjithnjë të hapura“. (Shtegu.com)