Vdes në moshën 90-vjeçare indasi që nuk hëngri e nuk piu për 80 vite me radhë (VIDEO)
Një asket indas që tha se nuk kishte ngrënë apo pirë për 80 vite me radhë, një pohim që ka qenë objekt i studimeve mjekësore, por edhe i dyshimeve, ka vdekur të martën në moshën 90-vjeçare, njoftoi fqinji i tij për Agjencinë AFP.
Një asket me një mjekër të gjatë dhe me një unazë në hunde si një perëndeshë hindu, Prahlad Jani ishte nga fshati i vogël i Charada në shtetin Gujarat (në perëndim të Indisë) dhe pretendoi se nuk kishte konsumuar as ujë e as ushqim që nga mosha 11-vjeçare.
„Ai vdiq nga pleqëria të martën në mëngjes, në shtëpinë e tij“, i tha AFP-së fqinji i derës tjetër Sheetal Chaudhary, informon Shtegu.com.
„Në spital u dërgua pas mesnatës, por u shpall i vdekur nga mjekët pas mbërritjes nga atje“, shtoi ai.
Jani tha se ai ishte bekuar nga një perëndeshë në fëmijërinë e tij, e cila do t’i jepte fuqitë e saj të veçanta. „E marr eliksirin e jetës përmes vrimës në qiellzën time, e cila më lejon të jetoj pa ushqim dhe ujë“, i kishte thënë AFP-së në vitin 2003.
Nuk është e mundur të verifikohet nëse gjatë gjithë këtyre dekadave në të vërtetë asketi ka konsumuar ndonjë ushqim ose ujë. Për mjekët, është e paimagjinueshme që një trup i njeriut mund t’i rezistojë një agjërimi kaq të gjatë.
Asketizmi i tij, i cili e kishte çuar atë të krijonte një komunitet të vogël ndjekësish, kishte tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve. Ekipet mjekësore indiane e vëzhguan atë dy herë, më 2003 dhe 2010.
Gjatë këtij studimi të dytë, gjatë të cilit ai monitorohej vazhdimisht nga kamerat, ai qëndroi pa ngrënë dhe pa pirë, por edhe pa kryer nevojë biologjike, për dy javë, duke befasuar mjekët përgjegjës për ta vëzhguar.
„Ky fenomen mbetet një mister“, i tha një neurolog shtypit në atë kohë.