Treni godet gjashtë lopë të cilat ngordhin në vend
Në Montet të Zvicrës, mbrëmjen e së premtes ka ndodhur një aksident me një tufë bagëtish të cilën e ka goditur një tren. Gjashtë kafshë ngordhën dhe dy persona u plagosën
Një bredhje e një tufe bagëtish në Montet të Friburgut, ishte fatale për disa kafshë. Bagëtitë u futën në binarë të trenit mbrëmjen e së premtes rreth orës 20.00. Një tren i SBB-së që po qarkullonte në relacionin Estavayer dhe Payerne nuk ka mundur të frenojë me kohë, megjithë frenimin emergjent dhe goditi gjashtë kafshë, informon Shtegu.com.
Gjatë frenimit emergjent, një person është plagosur lehtë. Udhëtarëve iu kërkua të prisnin në tren derisa treni i dëmtuar të tërhiqej në stacionin Cugy, ku ata kanë mundur të transferoheshin në një autobus, thuhet në një komunikatë.
Përderisa pjesa tjetër e kopesë u arratis, patrullat nga policia e Friburgut dhe e Kantonit Vaud u deshën të kontrollonin rajonin. Tre bagëti u gjetën në qendër të Cugy. Dy kafshë u kapën nga pronarët e tyre. Një bagëti e tretë u largua drejt autostradës A1, që është arsyeja përse rojet u thirrën për të neutralizuar kafshën. Sipas policisë, lopa sulmoi njërin nga rojet e kafshëve gjatë këtij aksioni dhe e plagosi lehtë.
Trafiku hekurudhor u ndërpre për tre orë e gjysmë, ndërsa u përdorën autobusë zëvendësues. Tashmë ka filluar një hetim rreth ngjarjes.