Tre vëllezërit Xhaka nga Gjermania ende nuk e kanë takuar Granitin e Arsenalit
21:38:26 2019-05-22
Futbollistët shqiptarë nga Neheimi në Gjermani, Riad, Dardan dhe Granit Xhaka, me profesionistin e Arsenalit të Londrës janë farefis. Mirëpo, kuarteti ka qëllime të ndryshme.
Emri dëshmon cilësinë – dhe jo vetëm në mëmëdhenë e futbollit (Mutterland), por edhe në Sauerland. Përderisa ish futbollisti profesionist shqiptar i Gladbach-ut, Granit Xhaka tani është kapiten i klubit Arsenal të Premier League, Riadi, Dardani dhe Graniti, të cilët gjithashtu mbajnë të njëjtin mbiemër sikurse ylli shqiptar i futbollit, janë bartës të lojës në SC Neheim, FC Neheim-Erlenbruch si dhe Türkiyemspor Neheim-Hüsten. „Ne jemi të lidhur me Granitin nga tetë apo nëntë breza, por personalisht ende nuk e kemi takuar“, thotë 25-vjeçari Riad Xhaka, mbrojtësi djathtë defenziv i ekipit të futbollit SC Neheim nga Westfalia.
Fillimisht, Xhakajt e kanë prejardhjen nga fshati Dake, që ishte pjesë e ish Jugosllavisë, shkruan „NRZ.de“, përcjell Shtegu.com. Sot, fshati i vogël i përket Komunës serbe Kurshumlija. Nga Dake kemi shkuar në Kosovë. Të afërmit e Xhakajve nga Neheimi sot jetojnë në Besianë. „Prindërit tanë atje kanë ende një shtëpi pushimi dhe disa të afërm të Granit Xhakës dhe të afërmit tanë që jetojnë në Kosovë, edhe më tej i mbajnë kontaktet e rregullta në mënyrë të vazhdueshme“, thotë Dardan Xhaka, mesfushori 27-vjeçar defenziv i FC Neheim-Erlenbruch. „Ai nuk është shembulli im si futbollist. Unë më tepër e adhuroj Cristiano Ronaldon, por me siguri se jam krenar për atë se sa një i afërm i imi ka arritur në futbollin profesionist“, shton Graniti, që me moshën e tij 24-vjeçare është më i riu nga tre vëllezërit Xhaka dhe i cili luan për ekipin Türkiyemspor Neheim-Hüsten.
Të tre futbollistët nga Neheimi, të gjithë përkrahës të FC Bayernit nga Mynihu dhe të cilët ishin të bindur se do ta fitoj kampionatin e 29-të gjerman gjatë fundjavës së kaluar, natyrisht se gjithnjë pyeten për lidhshmërinë me yllin shqiptar të Arsenalit, përcjell Shtegu.com. „Edhe gjatë një autokontrolli nga ana e policisë, unë u pyeta nëse jam farefis me Granitin“, përkujton Riad Xhaka dhe shton: „Përpos kësaj, unë gjithashtu pranoj ftesa për miqësi në Facebook në mënyrë të përsëritur, nga familja e madhe Xhaka“.
Përderisa karriera e Granit Xhakës filloi në FC Basel të Zvicrës, tre vëllezërit Xhaka fillimisht e kanë veshur fanellën e FC Neheim-Erlenbruch dhe kanë luajtur në fushën e gjelbër të Ruhr-Möhne.
Dardan Xhaka edhe sot e kësaj dite luan atje dhe tani është kapiten i ekipit. Të dielën e kaluar më 19 maj, me bashklojtarët e tij ai ka arritur të ngjitet një rang më lart pas 22 vitesh, në Kreisliga-Oberhaus. „Gjithkush pra i ka ende synimet e veta. Njëri dëshiron të fitojë me Arsenalin Europa League dhe ndërsa unë me Erlenbruch kampionatin“, thotë Dardan Xhaka.
Vëllai i Dardanit, Graniti vetëm mund të ëndërrojë inkuadrimin në një rang më të lartë me ekipin Türkiyemspor tij Neheim-Husten. „Por ka edhe raste më të mira“, thotë Granit. „Para së gjithash, ne duhet ta mbajmë ritmin tani dhe për këtë do të japim gjithçka nga vetvetja“.
Në pushim veror për momentin është Riad Xhaka. Mbrojtësi i SC Neheim aktualisht po vuan nga një lëndim në shpatull.
Përderisa Granit Xhaka tashmë tetë vite është përqendruar në futbollin profesionist , tek vëllezërit Xhaka të Gjermanisë, situata duket pak më ndryshe. Tek ta, në plan të parë është studimi. Dardani dhe Riadi studiojnë ekonominë në Bochum dhe Dortmund, ndërsa Graniti drejtimin pedagogjik në Paderborn. „Ne me gjithë dëshirë luajmë futboll, por për ne kjo është vetëm një hobi“, thotë Dardani Xhaka, i cili në ditët në vazhdim pret të bëhet baba për herë të dytë. Bashkëshortja e tij Leonora, pas lindjes së djalit Arianit, pret pasardhës të ri. Kështu pra, së shpejti do të jetë edhe një Xhaka tjetër. „Nëse do të bëhet futbollist amator apo profesionist, do të shohim më vonë“, thotë Dardan Xhaka. „Fillimisht, më me rëndësi që nëna dhe fëmija të jenë me shëndet të mirë“.