Tmerrohet policia gjermane, shqiptari ka vozitur katër ditë pa pushim automjetin
20:49:21 2017-02-03
Gjatë ditës së martë, policia gjermane nga Südhessen, në autostradën A 67 ka ndaluar një furgon nga Shqipëria. Atyre, furgoni u kishte rënë në sy pasi disa pjesë të ndriçimit nuk kanë qenë në rregull. Të dy vozitësit kanë pohuar se kanë qenë duke transportuar një grup prej pesë personave nga Shqipëria për në Frankfurt. Por, duke u bazuar në dokumentacionin e gjetur, policia së shpejti dëshmoi se udhëtarët më vonë do të vazhdonin për në Zvicër dhe Itali. Me këtë, sipërmarrësi i udhëtimeve ka realizuar linjë ndërkombëtare të paautorizuar, thuhet në një komunikatë të policisë, njofton „Shtegu.com“. Njëri nga vozitësit e kishte organizuar udhëtimin me përpilimin e një liste të thjeshtë, ndërsa tjetri e kishte drejtuar furgonin 29 orë pa kurrfarë pushimi të përcaktuar me rregullore ndërkombëtare. Gjatë kontrollit të mëtutjeshëm, policia ka hasur edhe në shoferin e tretë në mesin e udhëtarëve, i cili në janar të këtij viti kishte realizuar dy udhëtime për të njëjtin sipërmarrës dhe e kishte drejtuar automjetin, njëherë 76 orë pa ndërprerje, bile herën e dytë edhe 98 orë pa pushim, pra katër ditë pa u ndalur fare. Tre vozitësve u është ndërprerë menjëherë udhëtimi dhe ata është dashur të vendosen në një hotel në Darmstadt për të realizuar pushimin e nevojshëm. Udhëtarët e tjerë janë dërguar në stacionin e trenit, prej nga personalisht e kanë organizuar destinacionin e nevojshëm. Sipërmarrësin dhe tre vozitësit tashmë i pret kallëzim penal dhe një dënim i lartë pesëshifror në euro, për shkelje të ligjit në komunikacion.