2019-08-14
Shkelzen Halimi
Në fillim të mileniumit të ri, një soj tjetër politikanësh doli në skenë, që ngulmonin se nuk janë epigon të atyre që kishin kaluar në harresë dhe se do ta rimëkëmbin qenësoren e aspiratave të shqiptarëve, të cilët mëtonin për një barazi të plotë në segmentet më vitale të çdo kombi. Ata shumë shpejt do të humbin trupin dhe shpirtin dhe do t’i nënshtrohen dresurës së shefit të madh, formula magjike e të cilit ishte mbajtja e balancës së përsosur që ua mbyllte gojën të gjithë kundërshtarëve, zëri i të cilëve asnjëherë nuk mundi të shpërthejë. Ata, ndonëse kishin lindur nga hiçi, shumë shpejt u bënë mjeshtër për të sajuar farsa të ndryshme, me të cilat testonin dinjitetin e shqiptarëve, të cilët fare nuk hamendeshin sa i përket “sinqeritetit” të të ashtuquajturës klasë politike.
Para se të bëheshin grup energjik, për parashtrimin e problemeve ashtu siç duhej, ata u bënë grup i përdorshëm prapa perdeve të politikës ku caktoheshin sferat e interesit. Dhe çdo paraqitje e tyre para publikut përshkohej me “retorikë” ndër dhëmbë. Sigurimi i pushtetit në emër të patriotizmit, ishte një perfiditet i llojit të vet dhe si ushejza u shpërndanë gjithandej institucioneve të pushtetit, duke klithur e përjargur: o tash, o kurrë! Shqiptarët, fatkeqësisht, në shumë raste u detyruan të mbrohen nga vetja, përkatësisht nga klasa e vet politike, e cila si prioritet kishte vetëm interesin e vetvetes. Ata për këtë çështje do t’i mohojnë edhe shtyllat kryesore të identiteti dhe do ta kidnapojnë vullnetin e shqiptarëve. Fatkeqësisht, ishte kjo ndrydhja më e tmerrshme që i bëhej indit kombëtar.


