Të enjten ne Prishtinë, në moshën 64-vjeçare ka ndërruar jetë gazetari Bedri Sadiku. Lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij. Gazetari Sadiku ndërroi jetë i rrethuar nga familjarët e ngushtë, pas një sëmundje të shkurtër.
Bedri Sadiku u lind në Preshevë, ndërsa studimet i përfundoi në Fakultetin Filologjik në Shkup dhe studimet master në Zagreb të Kroacisë. Për shumë vjet rresht punoi në gazetën Rilindja, fillimisht në Prishtinë, gjatë viteve 80-të, ndërsa më vonë gjatë viteve 90-të në Tiranë dhe Shkup.
Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, për së afërmi e përcolli krizën e refugjatëve në Maqedoninë e Veriut, mdërsa me intervistat e tij me ish ambasadorin amerikan Christopher Hill luajti një rol të rëndësishëm në sensibilizimin e çështjes së Kosovës.
Gjatë kohës së luftës në Kosovë, Sadiku bashkëpunoi afër edhe me mediumin Kosovapress. Veterani i gazetarisë më vonë punoi edhe gazetat Lobi dhe Lajm ekskluzive.
Ai përcolli nga afër luftërat edhe në Preshevë dhe Maqedoni të Veriut.
Sadiku bashkë me një plejadë gazetarësh të Rilindjes, llogariten si veprimtarë të rëndësishëm të çështjes kombëtare, gjatë viteve 90-të e tutje.
Ai la të pikëlluar bashkëshorten Luljeten, dhe fëmijët Krenarin, Kushtrimin, Shqipen dhe Besën.

