Shtëpitë e mërgimtarëve, strehë për të pastrehët!
Besohet se afër 100 familje pa kulm mbi kokë sot jetojnë pikërisht në shtëpitë që ua kanë liruar mërgimtarët dibran. Janë shtëpi të ndërtuara para shumë viteve, por edhe shtëpi të cilat janë ndërtuar së fundmi. Shpirti human i shumë mërgimtarëve ka lehtësuar jetën e një pjese të familjeve të pastrehë në Dibër
Vjollca SADIKU
Dibër, 28 qershor – Një numër i theksuar i familjeve dibrane që janë në kategorinë e familjeve me probleme të theksuar sociale, vite me rradhë ballafaqohen me problemin e strehimit. Kryesisht bëhet fjalë për çifte të reja, por jo vetëm ata. Në një situatë kur vazhdon pritja e ndërtimeve të banesave sociale, një mundësi që u jepet këtyre familjeve të pastrehë janë shtëpitë e mërgimtarëve dibranë, të cilët sot jetojnë në SHBA dhe shtete të Europës.
Jozyrtarisht, mbi 200 familje të pastrehë që jetojnë në Dibër me vite tentojnë që të zgjidhin problemin e strehimit. Tentimi kryesisht bëhet nëpërmjet mundësive familjare, por shpeshherë edhe duke migruar dhe pastaj duke siguruar para për një kulm mbi kokë. Dibranët tani më e dinë se shumë familje janë të pastrehë. Një pjesë bukur e tyre këtë problem përkohësisht e kanë zgjidhur duke u strehuar në shtëpitë e mërgimtarëve. Janë shtëpi të ndërtuara para shumë viteve, por edhe shtëpi të cilat janë ndërtuar së fundmi. Shpirti human i shumë mërgimtarëve ka lehtësuar jetën e një pjese të familjeve të pastrehë në Dibër.
Besohet se afër 100 familje pa kulm mbi kokë sot jetojnë pikërisht në shtëpitë që ua kanë liruar mërgimtarët dibranë. Arta F. aktualisht jeton me familjen e saj në shtëpi të një mërgimtari që jeton në Nju Jork të SHBA-ve. Bëhet fjalë për një shtëpi në lagjen “Qernanicë” e ndërtuar gjatë viteve të ’70. Arta na thotë se ajo posedon një kat të kësaj shtëpie, kurse kati tjetër është me gjërat dhe mobileritë e pronarit. “Ne si familje nuk kemi patur shtëpi dhe me dëshirën e pronarëve, na është mundësuar tani disa vite me radhë të jetojmë në shtëpinë e dibranit që jeton në Amerikë”, tregon ajo, ndërsa shprehet mirënjohëse për këtë gjest të pronarëve. “Disa herë kemi patur shpresa, por edhe premtime nga institucionet kompetente se do të na jepet një banesë në ndërtesat sociale që u ndërtuan në Dibër”. Por, siç thotë ajo, në këto banesa janë strehuar më shumë funksionarë lokal se sa familje të pastrehë dhe që vërtet kanë nevojë. “Ne shpresojmë se shumë shpejt në Dibër do të ndërtohen sipas paralajmërimeve edhe dy banesa të mëdha kolektive, me qëllim që të gjejmë kulm mbi kokë, por mbetet vetëm të presim”, thotë Arta. Ky është vetëm një rast i një familje që është e pastrehë në Dibër. Por raste të këtilla janë të shumta dhe sot, si në pjesën e vjetër të qytetit ashtu edhe në pjesën e re, në shumë shtëpi të mërgimtarëve jetojnë familje të pastrehë.
Bajrami është kryefamiljar dhe jeton në një shtëpi të mërgimtarit në pjesën e vjetër të qytetit. “Këtu jemi tetë vite, kurse më parë kemi qenë edhe në shtëpitë e tjera ku kemi jetuar me qira. Kjo shtëpi është e një të afërmi i cili jeton në Gjermani dhe meqë nuk kam zgjidhur problemin e banimit, ai doli korrekt dhe meqë e dite se jetoja me qira në shtëpi tjetër, më mundësi që të vendosem pikërisht në shtëpinë e tij pa pagesë. Kemi kushte të mira”, thotë bashkëbiseduesi. Në pyetjen tonë rreth mundësive për të zgjidhur problemin e strehimit, Bajrami, 43-vjeçar thotë se është pesimist.
Problemi i strehimit në Dibër i familjeve me probleme sociale është një problem shumëvjeçar, i cili nuk është zgjidhur nga institucionet. Në Dibër janë ndërtuar banesa sociale, por planifikohet ndërtimi edhe i banesave të tjera sociale . Ndoshta me ndërtimin e banesave të reja sociale, do të zgjidhet një pjesë e problemit, por numri i familjeve të pastrehë është i madh. Korrektesa dhe humanizmi i mërgimtarëve sado pak ka zbutur problemin në fjalë. Në bisedat që kemi patur me disa nga mërgimtarët, nëpërmjet rrjeteve sociale, jemi të informuar se përveç humanizmit për të ndihmuar familjet të pastrehë, interesi i një pjese të tyre është edhe mirëmbajtja e objekteve kolektive dhe atyre individuale, por edhe mbrojtja nga hajnat, të cilët sidomos vitet e kaluara, në shënjestër kishin pikërisht shtëpitë e mërgimtarëve. (koha.mk)