Rrugës për në Egjipt me biçikleta, gjermanët trullosen nga mikpritja shqiptare
21:39:27 2017-12-25
Tanya dhe Simon Bihr kanë vendosur që të udhëtojnë 4.500 km për 230 ditë me biçikleta, përmes Kontinentit të Europës deri në Afrikë. Si një falënderim për mikpritjen shqiptare, përshtypjet e tyre i kanë shënuar në gazetën e përditshme „Schwaebische-Post“.
Para 230 ditësh ka filluar udhëtimi ynë i gjatë nga Aaleni, më saktësisht më 9 maj 2017. Qëllimi ka qenë që të udhëtohet më biçikletë dhe për festat e fundvitit të arrihet në Egjipt. Mu këtë e arritëm! Përmes disa luginave e lartësive, i kaluam plotë 4.500 kilometra duke përshkuar Gjermaninë, Austrinë, Italinë, Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Greqinë, Turqinë dhe më në fund Egjiptin.
Ditari ynë i udhëtimit përmban disa vëllime, por si një histori mbresëlënëse për festat e fundvitit duam ta cekim Shqipërinë. Ky vend i vogël, i cili për një periudhë të gjatë ka qenë i izoluar, na ka fascinuar. Ka një pasuri të rrallë me peisazhe, me plazhe të gjerë dhe male të larta, të cilat do t`ju konkurronin Alpeve tona.
Ajo që na la më së tepërmi përshtypje është mikpritja bujare e popullatës. Një përshëndetje me ngritje të dorës, apo ndonja „bravo“ na vinte nga çdo anë. Shpeshëherë ishim të ftuar në ndonjë kafe apo artikuj të vegjël ushqimorë, bile ka pasur raste që edhe nëpër shitoretë ndryshme nuk na merrnin të holla. Në Shqipëri ndjeheshim shumë të sigurt dhe pa kurrfarë presioni.
Për fat të keq, një mbrëmje nuk mund të gjenim vend për të kampuar. Por, ashtu siç janë mikpritës shqiptarët, një grup i tyre na ftoi në një kafene dhe pa kaluar edhenjë minutë e vetme, në duar mbanin nga një birrë. Nuk ishte e fundit e asaj mbrëmje. Vështirësitë fillestare për komunikim i sqaruam shumë shpejt, pasi me celular e lajmëruan një mik të vetin i cili në mënyrë të shkëlqyeshme e fliste gjermanishten. Kështu e kaluam një mbrëmje të mrekullueshme dhe në fund na e dhanë edhe çelësin e kafenesë, ku edhe e kaluam natën pa vështirësi.
Të fascinuar nga mikpritja shqiptare, ata kanë shkruar edhe: „Po të kishin udhëtuar nëpër Shqipëri Maria dhe Jozefi, me siguri se Jezu Krishti nuk do të lindte në ndonjë stallë të varfër“, përcjellë „Shtegu.com“!
Për këtë, u këshillojmë që pushimet e ardhshme verore t`i kaloni në Shqipëri!
Tanya dhe Simoni
Përshtati: Shtegu.com