Policia Kantonale e Cyrihut dhe Administrata Federale e Doganave zvicerane, vitin e kaluar sekuestruan mbi katër tonelata drogë në Aeroportin e Cyrihut. Në 65 kontrollime, u sekuestruan 83 kilogramë kokainë, 9.5 kilogramë heroinë, 32 kilogramë hashash, rreth katër tonelata khat si dhe 625 fara kërpi dhe 500 gram metafetaminë.
Droga ishte futur ose në bagazhe, në të cilat transportohej, mbahej në trup ose transportohej në trup, siç njoftoi policia e Kantonit të Cyrihut, transmeton Shtegu.com. Ndonjëherë lëndët narkotike janë fshehur edhe nëpër tekstile. Disa prej drogave u gjetën gjatë kontrolleve postare. Droga u importua nga Brazili dhe Izraeli, por edhe nga India, Holanda, Spanja dhe Afrika e Jugut.
Gjithsej janë arrestuar 48 persona. Bëhet fjalë për 26 burra dhe 22 gra midis moshës 16 dhe 65-vjeçare. Ata vijnë nga Brazili, Izraeli, Shqipëria, Holanda, Polonia, Spanja, Ukraina, Republika Dominikane, SH.B.A., Letonia dhe Paraguai.

