Policia gjermane vazhdon betejën kundër „tre qibritashëve“ maqedonas

55 Lexime

19:00:29                2017-10-10

 

 

 

 

Në dukje të parë, loja duket shumë e thjeshtë: Tre kuti shkrepsash, një letër alumin e mbështjellë në formë të rrumbullakët dhe premtimi për shumë të holla. Edhe pse shumica e njohin këtë mashtrim, ende ka njerëz të cilët futen në lojë për të fituar sahora ndonjë para më tepër. Sidomos, vizitorët e Berlinit në Gjermani e shohin një burim të mirë për të përmirësuar arkën e pushimit. Por, ata nuk e kanë idenë se pas kësaj fshihet krimi i organizuar, shkruan „Tagesspiegel“.

 

Kjo „lojë“ është një ndër mashtrimet më të hershme në botë, shkruan më tej gazeta gjermane, përcjellë „Shtegu.com“: Një person me duart e tij të shkathta i përzien kutiti duke e fshehur topin e vogël në njërën nga kutitë. Më pas, një mik i tij e gjen topin dhe i fiton dhjetë euro. Edhe një mik i tij gjithashtu fiton e kështu me radhë.

 

Në këtë mënyrë, fara është mbjellë dhe tani priten të korrat. Shumica e turistëve gjithashtu duan të fitojnë ndonjë para dhe futen në lojë me duart e fantazmës. Ata nuk janë të vetëdijshëm se janë futur në një krim të organizuar, duke mos e ditur se fituesit janë bashkëpunëtorë të lojtarit me kuti shkrepsash dhe nuk bëhet fjalë për lojë fati.

 

„Asnjëherë nuk mund të fitosh në lojën me kuti“, ka pohuar një zëdhënës i policisë gjermane. Edhe pse për shumicën e njerëzve kjo lojë është e njohur, numri i denoncimeve për shkak të mashtrimit me të njëjtën është gjithnjë në rritje, thuhet në një përgjigje parlamentare të përfaqësuesit politik të Partisë gjermane SPD nga Neukölln, Joschka Langenbrinck.

 

Duket se ky është një burim fitimprurës në Berlin dhe në qytetet e mëdha të Europës, ka vazhduar më tej Langenbrinck, ndërsa të dhënat i japin plotësisht të drejtë. Që nga viti 2015, denoncimet janë rritur pothuajse dyfish. Këtë e dëshmon edhe ekipi hetues i lojrave me kuti, i themeluar në vitin 2013, i cili pohon se në vitin 2015 ka konstatuar 160 persona, ndërsa vitin e kaluar janë shtuar në 200.

 

„Personat të cilët merren me këtë lloj mashtrimi, kryesisht vijnë nga Maqedonia dhe nga trojet tjera të ish Jugosllavisë“. Ata vijnë në Berlin si turistë, duke kaluar këtu rreth tre deri në katër muaj, me ç`rast dihet se nuk vijnë për turizëm, por për të fituar nga mashtrimi.

 

Langenbrinck personalisht e ka vëzhguar „bandën e organizuar kriminele“ në vendet më joshëse turistike dhe këto rrethana për te janë të papranueshme. Për këtë, politikani gjerman do të angazhohet për masa preventive për ta zgjidhur problemin me „qibritashët“.

 

Policia gjermane i arsyeton denoncimet e qytetarëve viktima, megjithëse të hollat asnjëherë nuk u kthehen mbrapa. „Të hollat nuk u kthehen, por pa denoncim edhe nuk mund të zbulohen autorët“, kanë deklaruar nga policia. (Shtegu.com)