Poeti Selajdin Shabani me tekst emocional dedikuar profesorit të ndjerë

174 Lexime

16:33:11                  2018-02-06

 

 

In Memoriam:Në shenjë përkujtimi e respekti për profesorin Feti Veseli
(01. 06. 1958-06.02. 2018)

 

SELAJDIN SHABANI

 

Në emër të nxënësve dhe në emrin tim personal, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për vdekjen e profesorit Feti Veseli, i cili të martën ndërroi jetë në Zvicër. Jemi mbledhur për herë të fundit, për t’i thënë lamtumirën, njërit ndër profesorët më të mirë, por të një kohe më të rëndë kur punoi dhe veproi në arsim. Ai një pjesë të jetës e kaloi në shkollat e mesme të Kumanovës, por edhe në kurbet. Megjithatë, profesori nuk harrohet, ngase pas nesh la rrugën e ndriçimit dhe të pedagogut që gjithnjë motivonte edhe për jetën, edhe për arsimin, edhe për gjuhën dhe atdheun.

Asnjëherë nuk e kishim menduar se do të shkruanim ndonjë përkujtim për të, por gjurmët e tij prej një pedagogu nuk shlyhen lehtë, andaj edhe sot kur ai më nuk do të jetë në mesin tonë, shëmbëlltyra e tij vazhdon të rrezatojë.

Dikur si nxënës mendonim se profesorët nuk vdesin, por ja që edhe kjo është pjesë e jetës. Më vonë u bëmë edhe kolegë e shokë, por para teje mbetem vetëm si nxënës motivues të shumë gjeneratave që nuk të harruam asnjëherë edhe pse kurbetin e kishim plagë të jetës dhe që na ndante.

Feti Veseli, edhe si njeri, edhe si profesor ishte i dashur, i buzëqeshur që prore reflektonte dritë, edukim, arsimim, motivonte për jetë duke kontribuar për vendlindjen dhe duke shpërndarë dije, urtësi, humanizëm, dashuri apo siç do të thonë miqtë tanë ”ishe më i mirë se sa i duhej kësaj bote!”.
Ai nuk kurseu asgjë nga vetvetja për të mirën e arsimit, të cilit ia kushtoi një pjesë të jetës.

Dhimbja për profesorin, mikun Feti Veseli, është dhembje për njeriun që ia kushtoi jetën shkollimit shqip, arsimit, edukimit dhe lirisë kombëtare! Ai punoi si profesor në disa shkolla të mesme të Kumanovës, madje në kohërat më të rënda, kur shkollat shqipe mbylleshin, por ai me një guxim të pashoq, të rrallë dhe të kohës iu kundërvu bindshëm strukturave antiarsimore të shqiptarëve. Fetiu në kohët më të vështira u angazhua në bashkimin e intelektualëve të asaj kohe në mbrojtjen e arsimit shqip në Kumanovë. Ishte i edukuar në një familje atdhetare e shume bujare.

Edhe pse viteve të fundit jetën e kaloi në kurbet mendja dhe shpirti i tij ishte në vendlindje dhe takimet e shumta për çdo stinë kishin të bëjnë prore me edukimin për arsimin dhe kombin.

Kishim fatin që të kishim profesor dhe ndihemi krenar që të patëm dhe gjithnjë do të mbetesh në mendjet tona.

Profesori është njeriu i cili hap horizonte drejt suksesit në jetë. Dhe ti ishe i tillë që nuk ke ndaluar asnjëherë. Vazhdimisht na ke përgatitur e udhëzuar duke na njohur me jetën dhe të mirën e arsimit dhe atdheut. Mundi yt është me vlera të larta, sepse prore na ke përgatitur për sfidat e jetës. Dhe vërtet ashtu si na ke mësuar ashtu edhe ne do të vazhdojmë duke mos të të harruar asnjëherë.

Do të na mungosh profesor, edhe si profesor, edhe si pedagog, edhe si njeri!

Zotëri profesor, sot ti po largohesh nga ne, dhe ne me dhembje e krenari nuk do t’i harrojmë këshillat që na dhe. Ishe dhe mbetesh profesor, udhërrëfyes për shumë gjenerata, sepse pas familjes, vjen arsimimi, shkolla, librat dhe edukata. Ti ishe profesor që na mësove ta duam arsimin, popullin, njerëzit, gjuhën dhe atdheun tonë.

Një përkujtim për profesorin për mua dhe shumë gjenerata është i pamjaftueshëm, megjithatë jeta është e tillë, që vjen një moment kur duhet t’i thuash profesorit LAMTUMIRË, duke mos harruar urtësinë e tij për të sotmen dhe të ardhmen. Ti jetove nëpër sfida dhe krenar, por gjithnjë ballëhapur. Do të ecim rrugës e bujarisë sate.

Të nderuar familjarë, të nderuar të pranishëm, ju keni humbur një njeri, familjar prind, por nxënësit e tij kanë humbur një pedagog, miqtë një mik të mirë, të dashur e të respektuar, mirësjellja e tij do të vazhdojnë të mbesin shembull në mesin tonë!

Sot, edhe kur dhe vetë jam me ditar në dorë dhe në po atë shkollë duke ligjëruar para nxënësve, unë, përsëri para profesorit tim, po mbetem vetëm nxënës i heshtur që kujton profesorin e urtë.

Jeta na kishte rastisur të takohemi shumë herë në jetë me profesorin Feti Veseli, madje edhe kur unë kisha arritur të bëhem profesor e gazetar dhe të kuvendojmë për shumëçka, por gjithmonë përballë tij mbeta vetëm nxënës Selushi që e dëgjoja me vëmendje njeriun e urtë. Ti nuk ke vdekur profesori ynë, por vetëm ke ndërruar jetë! Të qoftë i lehtë dheu i dashur dhe i nderuari profesor Feti! Zoti të shpërbleftë dhe pastë mëshirën dhe të mirat e tij ndaj teje! Shpirti yt pushoftë në PAQE! (LAJM)