Përkujtohet Kolë Bojaxhiu, babai i nobelistes Nënë Tereza

67 Lexime
 
2019-08-04
 

Në Shkup u përkujtua 100 vjetori i vdekjes së Kolë Bojaxhiut, babait të Nënë Terezës. Kolë Bojaxhiu ka qenë i vetmi këshilltar shqiptar në Këshillin e qytetit të Shkupit në atë kohë, themelues i Teatrit në Shkup si dhe iniciues i ndërtimit të hekurudhës Shkup-Kosovë. Shënimi i 100 vjetorit të vdekjes së tij u mbajt në shtëpinë memoriale të Nënë Terezës, ndërsa ndër organizatorët ishin Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve dhe Ambasada e Kosovës në Shkup.
Në organizim të Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve dhe Ambasadës së Kosovës në Shkup sot u shënua 100 vjetori i vdekjes së Kolë Bojaxhiut, babait të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Tereza.
Kolë Bojaxhiu ishte personalitet i kohës, duke qenë këshilltar, i vetmi shqiptar në Këshillin e Qytetit të Shkupit, themelues i Teatrit të Shkupit dhe iniciatori për ndërtimin e hekurudhës SHkup – Kosovë.
“Me figurën e Kolë Bojaxhiut ne si historian dhe si histografi shqiptare po fillojmë t’i shtjellojmë figurat lokale tonat të cilat kanë bërë peshën pastaj në arenën gjithëkombëtare por dhe atë botërore. Jo rastësisht ne e kemi organizuar këtë konferencë që ta argumentojmë dhe ta kthejmë vëmendjen drejt Shkupit përmes familjes Bojaxhiu”, theksoi drejtori i ITKSHKSH-së, Skender Asani.
Ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj tha se Kolë Bojaxhiu ishte një patriot dhe një njeri vizionar. “Kuptohet se ai ka qenë edhe një baba shumë i veçantë, unik që e ka lind një bijë si Nënë Tereza dhe ne mburremi me jetën e tij””, theksoi ambasadori Dedaj. (INA)