Përfundon kërkimi për zhdukjen e shqiptarit në Itali, shpallet i vdekur zyrtarisht

64 Lexime

12:53:42                   2017-12-25

 

 

 

 

 

Mbrëmjen e 28 shtatorit të vitit 2006 Nexhat Rizanaj nga Kosova u zhduk pa gjurmë në lokalitetin Karduan në krahinën e Tirolit jugor në Itali. Njëmbëdhjetë vite pas zhdukjes së tij, autoritetet italiane e kanë shpallur të vdekur edhe zyrtarisht, pasi duket se janë zhdukur edhe shpresat e fundit se ai mund të jetë gjallë. Me këtë rast janë marrë gjatë hetuesit për krime të rënda të Tirolit jugor.

 

Rizanaj ishte punëtor ndërtimi. Mbrëmjen e 28 shtatorit 2006 ai po priste pranë rrugës një mik për të shkuar me të me veturë në qytetin Meran. Kur shoku i tij, po ashtu kosovar, arriti në vendin ku e kishin lënë të takoheshin, Rizanaj nuk ishte aty. Ishte zhdukur pa gjurmë. Sipas të dhënave të policisë italiane nga telefoni i Rizanajt nuk ishin bërë thirrje, po ashtu nga xhirollogaria e tij nuk ishin tërhequr para, shkruan „stol.it“, përcjellë „Shtegu.com“. Punëdhënësi i tij supozonte se Rizanaj ishte viktimë e një pengmarrjeje. Por hetimet nuk sollën asnjë sukses. Rizanaj u kërkua edhe në emisionin italian për të humburit «Chi l’ha visto». Avokati i familjes Rizanaj Mauro De Pascalis i ka bërë një kërkesë një gjykate në Bozen që Nexhat Rizanaj të shpallet zyrtarisht i vdekur. «Bëhet fjalë për një kërkesë të zakonshme, e cila mund të parashtrohet dhjetë vjet pasi të zhduket një person», ka thënë avokati.

 

Në vitin 2011 lindi edhe shpresa e fundit, kur në afërsi të Atzwang u gjetën disa eshtra njerësore. Përmes gjurmëve të ADN-së, hetuesit kanë tentuar të zbulojnë nëse këto eshtra janë të Nexhatit. Por, hetimet sërish mbetën pa sukses.

 

Të enjten e 2 nëntorit 2017, Nexhat Rizanaj edhe zyrtarisht u shpallë i vdekur, njëmbëdhjetë vite pas zhdukjes së tij. Pas vetes ka lënë bashkëshorten dhe katër fëmijët, me të cilët deri ne zhdukjen e tij kanë jetuar në Meran. (Shtegu.com)