NJERIU I CILI DËSHIRONTE TË IKË NGA AZRAILI!

146 Lexime

28.11.2019

Një mëngjes në zbardhje të agimit, një fisnik u ndez në një nxitim drejt derës së Pallatit të Sulejmanit. Fytyra e këtij njeriu fatkeq u zverdh dhe buzët iu errësuan nga pikëllimi.

„Çfarë të shtrëngon, o njeri, që kështu të vuash?“, – e pyeti Sulejmani.

„Azraili më qëlloi me një vështrim të tillë, i gjithë zemërimi dhe tërbimi i tij më thithën“, – pëshpëriti i palumturi.

„Më thuaj tani çfarë duhet të bëj“, iu drejtua Sulejmani, „çfarë të duash kërko!“

„Ti, që me sy të zgjuar i ruan jetët tona,“ filloi njeriu, „urdhëroje erën që nga këtu në Indi të më dërgojë, aty, mbase, vdekjes do t’i iki dhe do ta shpëtoj shpirtin tim.“

Njerëzit kështu largohen nga modestia dhe dorëzimi që të bëhen pre e butësisë dhe lakmisë.

Frika nga varfëria dhe dorëzimi ngjason si frika që e ndjek këtë të vdekurin; lakmia dhe blasfemia, kjo është India yte.

Dhe Sulejmani urdhëron erën që ta marrë këtë njeri përtej detit me nxitim dhe ta çojë atë deri në kufirin e largët të Indisë.

Të nesërmen, ndërsa Sulejmani ishte në pritje, u takua me Azrailin dhe e pyeti: „Pse shikove me aq zemërim në atë krijesë të Zotit, saqë i varfëri nxitoi nga shtëpia e tij pa kokë?“

„Kur e shikova me zemërim,“ tha Azraili i habitur, „vetëm u mahnita se ku po shkonte. Sepse nga Zoti më erdhi urdhëri që shpirtin e këtij njeriu, ta marr në Indi, në të njëjtën ditë. Dhe unë, ja, u mahnita nga mrekullia dhe mendoja me vete: „Nëse do të kishte edhe qindra krahë, ai nuk mund të arrinte në Indinë e largët“.

Gjithçka që ndodh në botë ti kështu krahasoje,

hapi sytë mirë dhe mendo!

Nga kush të ikim? Vallë nga vetja jonë? Marrëzi!

Nga kush të mbrohemi? Vallë nga e Vërteta? Hej, fatkeqësi!

(Shkëputur nga poema mistike „Mesnevi“)

Autori: Mevlana Xhelaludin Rumi