Ndryshe me Diana Toskën

165 Lexime

16:31:57              2016-10-27

 

 

 

 

Diana Toska u lind në Shkup. Shkollën fillore e të mesme i kreu në vendlindje, Fakultetin Juridik dhe avokatin në Prishtinë në vitin 1984. Në karrierën e saj 34-vjeçare ka punuar si gazetare, korrespondente, drejtore, producente e programeve politike dhe bashkëpunëtore e agjencive të ndryshme të lajmeve vendase e ndërkombëtare, si në Televizionin e Prishtinës dhe Radio Televizionin e Kosovës, në VOA, Rilindje, Lajm, ligjëruese në Akademinë Policore në Vushtrri, përfaqësuese rajonale e KEN-Knowlegde Economy Network me seli ne Bruksel dhe ICPE në Slloveni. Është autore dhe producente e debateve të shumta televizive, e emisioneve dokumentare edhe e filmit të parë dokumentar në Kosovën e pasluftës “Lugina e dhembjes dhe e shpresës – Bllaca”. Njihet si kryetare e bordit të Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit në Gji, JETA/VITA, si dhe drejtore ekzekutive e OJQ-së “Litlle People of Kosova”, e cila në vitin 2013 fitoi Çmimin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Si veprimtare dhe lobiste e të drejtave të njeriut, për çka dhe kam fituar mirënjohje të ndryshme. Mirënjohje edhe nga VOA dhe e dekoruar dhe me çmimin ”Mbretëresha Teuta”, për vitin 2015 nga Klubi i Femrave Shqiptare të Kroacisë. Është ideatore dhe producente e Himnit të Nënës Terezës dhe ideatore e producente e koncertit në Vatikan, të mbajtur me rastin e Shenjtërimit të Nënës Terezës.

KOHA: Zonja Toska jeni lindur në Shkup. Vend ky me histori të bujshme. Ç‘do të thotë Shkupi për Ju. A e dini historinë e vërtetë të Shkupit. Si po manipulohet dhe çfarë fshihet në kalanë e këtij qyteti. Çfarë kanë thënë autorët antikë për Aleksandrin e Madh dhe çfarë shkruhet për shqiptarët në Muzeun arkeologjik në kryeqytetin e Maqedonisë?

TOSKA: Shkupi gjatë periudhës Ilire ishte kryeqendër e Dardanisë, prandaj jam me fat që kam lindur në një qytet që ka histori kaq të begatshme kombëtare. Fatkeqësisht, politika serbe e jugosllave në rrjedhën e viteve të regjimit të tyre bënë de-shqiptarizimin masiv të qytetit dhe populli shqiptar u përjashtua nga ndërtimi i kësaj qendre diplomatike, politike, kulturore e akademike, edhe përkundër identitetit historik, gjeografik e kulturor. Falë politikës, Shkupi u ndërtua si qytet ekskluzivisht i popullit maqedonas, me gjuhën shtetërore atë maqedonase dhe shteti mbeti të identifikohet nëpërmjet Kishës Ortodokse Maqedonase, si simbol i përkatësisë dhe përbërjes sllave të shtetit. Politika në këto troje ndërtoi një identitet të ri historik duke e konsideruar popullin maqedonas si një popull antik dhe bëri investime të jashtëzakonshme në këtë drejtim, por në dritën e koncepteve moderne. Historia e popullit shqiptarë në këto troje u shkrua me masa represive duke u trajtuar në vazhdimësi si rrezik demografik, gjeopolitik dhe strategjik. Maqedonia u ndërtua pa vizion. U injorua kostelacioni i forcave brendapërbrenda këtij territori nuk u hartua strategji e përbashkët shtetërore për zhvillim dhe integrim rajonal e euroatlantik e, aq më parë, kur të injoruarit janë hiq më pak se 8 milionë si komb në Ballkan! Historia e Shkupit ka një Amanet të shenjtë për gjeneratën tonë:

Josif Bageri: Tapia e vendit është gjuha Shkupi është kërthiza e Shqipërisë etnike Autoktonia iliro-shqiptare e Shkupit është e shenjtë, me gjuhë shqipe hyjnore, i harruar nga qenia njerëzore, por jo edhe nga Zoti

Populli maqedonas, nuk po arrin të merret vesh me ndërgjegjen e vet dhe se ç’vend duhet t’i jep vetes në jetë. Ndërsa, populli shqiptar gjatë këtyre viteve mësoi se si të mbijetojë, por jo edhe se si të jetojë.

KOHA: Ura e Gurit konsiderohet simboli më impozant i Qytetit të Shkupit. Jo rastësisht qytetarët Urën e definojnë si urë të lidhjes dhe jo të ndarjes së popujve që e përbëjnë imazhin multietnik e multikonfesional të Shkupit. E keni shkelur me këmbën tuaj Urën e gurit, ç‘simbolizon kjo urë, për Ju? 

TOSKA: Shkupi u krijua si shoqëri me ndarje të thellë mes dy bashkësive etnike, asaj maqedonase dhe shqiptare. Duke qenë të ndarë edhe sipas gjuhës, fesë dhe, me ndjenjë të fuqishme të identitetit nacional, komunikimi mes dy bashkësive mbeti jo vetëm i kufizuar, por njëherit edhe i ndarë përmes simbolikës së gurit. Ura e gurit është një ndër monumentet historike, e ndërtuar në shekullin XV, e cila lidh brigjet e lumit Vardar. Brigjet e civilizimit, të bashkëjetesës kulturore e fetare, midis kombeve që kanë histori e gjeografi në këto troje. Sot, Shkupi është ndarë në dysh dhe ka humbur bukurin e të jetuarit me dinjitet, sidomos për shqiptarët.

KOHA: Jeni e përfshirë në jetën publike e shoqërore në Kosovë dhe Maqedoni. E lindur në Shkup dhe e shkolluar për juriste në Prishtinë. Në fakt, si nisi jeta juaj jashtë vendit të lindjes?

TOSKA: Jeta ime u soll mes shtetit tim të lindjes dhe atij të gjakut. E shndërruar në një nomade, herë në atë anë e, herë në këtë anë të kufirit, herë me dëshirë e herë herë pa dëshirën time, e detyruar nga barra e jetës, që të godet ndonjëherë, atëherë kur më së paku e pret. Pagova çmimin e jetës në të dyja anët e kufirit dhe secila ishte më e dhimbshme se tjetra, ndonjëherë më e lartë e ndonjëherë më e ulët, por e pagova, (dhe për këtë ndjehem krenare) çmimin e mos përkuljes para mentalitetit policor, të një politike që nuk arriti të reformohej, në njërën anë dhe, çmimin e lirisë së Kosovës, në anën tjetër.

KOHA: Keni menduar dhe synuar të bëni karrierë, duke pasur parasysh se femra shqiptare duhet të kapërcente shumë hendeqe. Si filloi karriera juaj?

TOSKA: Në fillet e karrierës time u ballafaqova me turbulenca politike që nuk i kuptoja sa duhet, por që shkas kishin demonstratat e vitit 1981, të shpallura si koftra revolucionare nga regjimi komunist i Jugosllavisë, e unë në atë kohë isha studente, e cila luftoja për përmirësimin e kushteve të studentëve, me naivitet pa e ditur prapavijën që mshifej pas këtyre demonstratave… E shpallur nacionaliste nga LK e Maqedonisë më 1983, si gazetare e punësuar në TVM. Në rrugëtimin tim prej gazetareje, e me këtë anatemim mbi supe më vonë në RTP, çdo veprim e raportim i imi ishte nën thjerrëz të partisë e bashkëpunëtorëve të Serbisë. Prandaj, karriera ime ne esencë nuk është zhvilluar në kontekstin e luftës mes gjinive, por duke luftuar për fitimin e të drejtave kombëtare.

KOHA: Bën që tërësia e vetive a e cilësive shpirtërore, mendore e fizike, e shprehive kulturore të vë figurën e juaj në publik, duke pasur parasysh që keni impakt shoqëror e intelektual. Jeni edukuar në një familje përparimtare. Cila është familja e juaj? 

TOSKA: Familja është foleja më e ngrohtë e gjithë secilit dhe lum ata që dinë ta vlerësojnë bukurinë jetësore që rrjedh nga ky gji i dashurisë dhe bekimit njerëzor. Familja është pjesa më e bukur e jetës sime, më edukoi shëndetshëm në rininë time dhe ndikoi në pjekurin time, shpirtërore, intelektuale e njerëzore. Kultura e komunikimit brenda përbrenda familjes, të përmbushur me dashuri e bujari, të mëson se bukuria e njeriut, qëndron tek fjala, urtësia, thjeshtësia, e mbi të gjitha vendosmëria. Një familje e shëndoshë e përparimtare, të edukon që të nisesh në rrugët e jetës me idenë se bota që na rrethon është refleksion i sjelljeve dhe prirjeve tona. Kjo aksiomë të shërben të bëhesh ekzemplar i vetë-përgjegjësisë, duke i shërbyer atyre kauzave që e bëjnë njeriun faktorin e ndryshimeve pozitive në shoqëri dhe që përcjellin traditën familjare brez pas brezi. Familja ime, është ajo që i dhuroj denjësisht tërë preokupimin e qenies sime dhe lus zotin çdo ditë për shëndetin e mirëqenien e tyre. Në familjen e ngushtë kam, Babain e ndjerë, Ilmi Toska, nëna Mira, tre vëllezër, dy motra e nëntë nipër.

KOHA: Mbroni me këmbëngulje çështjet. Cila është kauza juaj e shenjtë (e drejtë). Kauza e përbashkët. Kauza e popullit tonë?

TOSKA: Kauza për një jetë më të dinjitetshme, më njerëzore, më humane, më pak materiale e më shumë spirituale. Pjekuri e urtësi kombëtare në kohën kur çështja shqiptare po kërkon zgjidhje globale në Ballkan.

KOHA: Jeni ajo shqiptarja që e ka ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa shpesh mund të mendohet se e paguan me jetë kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës?

TOSKA: Bukuria është një nxitje e madhe që zbukuron jetën tonë të përditshme. E bukura të tërheq dhe magjeps, vë në lëvizje tërë qenien tënde personale, të stimulon t’i japish një karakter avangard e përgjithësues. Bukuria ka një kosto individuale që kushton shumë dhe një kolektive e universale, për të cilën kam etje të hapet një debat brenda etikës së një komunikimi serioz dhe ballafaqimit të opinionit me të vërtetën mbi trungun tonë. E adhuroj bukurinë që shkëlqen vetëm në dritën e ndjenjës shpirtërore. Prandaj, jam e gatshme për hir të kësaj ndjenje të hap një fushat mediale vetëdijesimi në qytetin tim të lindjes, me temë: “Populli shqiptar ka TRI FE me një përkushtim atdhetar”. A ka gjë më të bukur se t’i ndihmosh një qenieje njerëzore ta gjej rrugën e pastër e të vërtetë shpirtërore. A ka përgjegjësi më të bukur intelektuale e kombëtare se ta thërrasësh ndërgjegjen e heshtur kolektive në këto kohëra të palavdishme për kombin e t’i parandalosh furtunat antishqiptare, serbo – turko – arabe… Bukuria nuk mund të merret në pyetje – ajo mbretëron me të drejtë hyjnore, ka thënë O. Wilde.

KOHA: Ju keni kryer veprimtari publicistike. Sa u ka ndihmuar në jetë gazetaria, për arritjen e qëllimeve qoftë personale, qoftë kombëtare?

TOSKA: Gazetare në rrethanat ku unë jetoj e veproj është tejet e vështirë, sidomos të jesh e pavarur, në aspektin partiak, klanor, financiar, fisnor, fetar, e rrjeteve banditeske që vendosin për fatin e shumicës në Kosovë. Fatkeqësisht, mediat sot janë shndërruar në zëdhënës dhe në profite të ‘likeve’, duke afirmuar më shumë prapanicat e disa sex – bombave dhe selfiet, që bëjnë politikanët tanë vend e pavend, se sa vlerat e mirëfillta që ndodhin në shoqëri. Ndërkohë që ambienti aspak fisnik i jetës sonë publike ka prodhuar marrëdhënie të këqija në mes të individit dhe institucioneve dhe në këtë kontekst femra shqiptare e ka vështirë të krijoj identitetin e vet profesional e krijues. Këto janë pengesa që hasen shpesh në Kosovë dhe pothuajse ndaj çdo projekti që lind me vetë iniciativë dhe në mënyrë të pavarur. Pengesat bëhen edhe më të vështira atëherë kur ndonjë kryepartiak, lider, boss apo institucion nuk e gjen interesin e tij personal apo pretendon ta kapitalizojë këtë iniciativë për interesa të tija meskine. Prandaj, për ta ruajtur pavarësinë time personale viteve të fundit po merrem me tema që humanizojnë shoqërinë shqiptare dhe mbrojnë pastërtinë time shpirtërore. Nga 2003 jam drejtore ekzekutive e OJQ ‘Litel People of Kosova’, me të cilën fituam çmimin e OKB- së për të drejtat e njeriut në vitin 2013. Ndjehem në paqe me vetveten teksa punoj vullnetarisht për njerëzit me aftësi të kufizuara, për t’ua krijuar një jetë më të dinjitetshme dhe jam mirënjohëse që më është dhënë kjo mundësi me kënaqësi nga ana e tyre. Pavarësia në punën time si gazetare më ka shkaktuar shumë dhembje e trishtim, por jam përpjekur të qëndrojë vertikalisht dhe sfidat e jetës ti sfidoj me guxim. Kam arritur të realizoj kohë pas kohe ndonjë qëllim, qoftë personal a kombëtarë, falë qëndrueshmërisë dhe këmbëngulësisë time.

KOHA: Cilat janë takimet e juaja më të rëndësishme në profesionin tuaj si gazetare?

TOSKA: Pata takime profesionale e misionare, të cilat jo rrallëherë patën impakt pozitiv në ngjarjet e përgjithshme politike e kombëtare. President shtetesh, kryeministra, diplomatë, kardinalë, personalitete të shquara… Por, me kënaqësi rikujtoj porositë e miqve – familjar, me të cilët pata fatin të bashkëpunoj e të kontribuoj për të mirën e përgjithshme. Porositë e Presidentit Rugova, Fehmi Aganit, Mahmut Bakallit, Asllan Fazliut,Veli Deva… Aktivisten e madhe të përmasave botërore, Kristinë Von Khol. E ruaj me xhelozi porosinë impresionuese që mikja ime nga Vjena ma la viteve të 90-ta si korrespondente e VOA: “Ti ndiqe lirinë që kaq shumë e do. Mos u ndal para kritikave, rrëmujave e ndërskamëseve, që t’i krijojnë ndonjëherë edhe ata që më së paku e pret. Përpiqu t’i sfidosh duke pasur gjithnjë në mendje se në beteja të rënda zhurmë bëjnë vetëm ata që mbeten në publik, e jo lojtarët. Këtë mos e harro kurrë, mikja ime”.

KOHA: Zonja Toska, mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas idesë. Si arritët të bindni shqiptarët të kapen pas idesë për veprën ndaj Nënë Terezës?

TOSKA: Misioni i intelektualit është polidimensional, por jo të gjithë intelektualët kanë shansin të identifikojnë ato vlera që nuk janë vetëm personale, por edhe kolektive-kombëtare. Është e kuptueshme që çdo intelektual i mirëfilltë, në një moment historik për kombin, ka dëshirë të reflektojë, të realizojë ndoshta një ëndërr të tij që do të vuloste dhe linte gjurmë për brezat që do të vinë.

Ky moment ishte pikërisht tani në prag të shenjtërimit të Nënës Terezë. Një ide timen desha t’ia fali kombit dhe shtetit tim, desha të jemi të bashkuar dhe në këtë hapërim hyjnor kombëtarë t’i falënderohemi bijës sonë për lavdinë universale që na e dhuroi. Kam shkrirë gjithë kapacitetin tim intelektual, moral, kombëtar që idesë time t’i jap udhë deri në përmasat e sensibilizimit gjithëkombëtar. Çdo ide që ka për bazë altruizmin sublim e jo egoizmin mund të gjejë përkrahje. Me punë e sakrificë të madhe personale u dëshmua se një ide mund të përkrahet si rrugëtregues se kah duhet të lëvizë shoqëria shqiptare dhe njëkohësisht të ndez një dritë në zonat e pandriçuara të mendjes dhe shoqërisë njerëzore. Më vjen mirë që opinioni punën time e ka cilësuar si model të një veprimtareje që prodhon ide dhe i bën ato pronë të gjithë shoqërisë.

KOHA: Cila është vepra juaj më e madhe që keni bërë me një qëllim të caktuar?

TOSKA: Himni i Nënës Terezës që hapi rrugën për Vatikan. Unë jam tejet e lumtur, që për herë të parë kombi shqiptar arriti që të nderojë veprën dhe jetën e Nënë Terezës. I paraprimë shenjtërimit të saj me fjalët e saj, në gjuhën e saj, të bashkuar si komb, si asnjëherë më parë. Ende jemi duke jetuar me famën e saj pa bërë përpjekje si komb për ta vazhduar rrugën e saj. Shoqëria shqiptare ka nevojë për humanizëm dhe reflektim, për të dëshmuar se jemi bijtë e shpirtit e gjakut të Nënës Terezës.

KOHA: Është tërësia e veçorive psikike, që shfaqen në veprimtarinë e në sjelljen e njeriut në shoqëri dhe që e shquajnë personalitetin tuaj? Cilat janë karakteristikat e personalitetit tuaj si një femër e hekurt?

TOSKA: Ideali dhe intuita. Njerëzimi është një etnitet unik i cili në vazhdimësi ka nevojë për zemrën e njeriut dhe ndërgjegjen e tij. Bota gjithmonë ka nevojë për impulse të reja morale që historikisht shikuar nuk kanë ardhur as nga xhamitë e as nga kishat. Por, nga idealistë, nga mbarë bota që zotin e kishin në ndërgjegjen e tyre dhe i shërbyen të mirës së njerëzimit pa egoizëm, por me altruizëm, Luter King, Nelson Mendela. Gandi, etj… Anjshtajni thoshte, nëse duam të përmirësojmë botën, nuk mundemi ta bëjmë me dije shkencore, por me ideale. Prandaj, pa një qik ideali në vete as nuk mund të ecish para as nuk mund t’i shërbesh askujt, bile as familjes, shoqërisë, kombit, e aq më pak njerëzimit nga i cili rrjedh përgjegjësia morale e secilit individ me mendje të shëndoshë në këtë botë. Ndërsa, intuita është një aftësi shpirtërore, të cilën realisht po e vërej se nuk po di si ta shpjegoj. Por, unë i besoj shumë dhe përpiqem vibrimet e saj t’i lexoj, t’i interpretoj, analizoj dhe aplikoj në përditshmërinë time jetësore. Intuita është porta magjike e fushëveprimit tim, e cila më shtyn të ec drejt qëllimit tim në jetë dhe t’i bëj realitet disa ide kreative nga ëndrrat e mia.

KOHA: Nëse e shfaqni idenë për ndonjë aktivitet të ardhshëm, atëherë do të detyrohemi ta blejmë, siç edhe ndodh në vendet e zhvilluara. Mund të zbuloni misionin tuaj të ardhshëm?

TOSKA: Unë preferoj një mision shpirtëror, dashuri ndaj njeriut për njeriun, sidomos në këto kohëra kur teknika është shndërruar në alfa e omega të veprimit tonë ndërnjerëzor. Në kohën kur njeriu ka nevojë më së tepërmi për ngrohtësinë njerëzore, na imponohet ftohtësia e komunikimit virtual.

Kjo më ka nxitur të mendoj pak më tepër se si ta humanizojmë jetën tonë, si ta bëjmë njerëzoren- substancën tonë të referimit etik e social. Shpresoj të gjej përkrahje në këtë mision dhe JU ta bleni me çmimin e përkrahjes dhe të shpërndarjes sa më të madhe.

Unë pata një ide, i besova asaj, i qëndrova besnike, ia dola dhe po vazhdoj… (KOHA)