Kim Mehmeti: Askush nuk i ka përbuzur shqiptarët e Maqedonisë aq sa „misionarët“ e BDI-së!
Dhe mbase ka ardhur koha kur shqiptarët e Maqedonisë duhet ta pranojnë të vërtetën e dhembshme se, që nga koha e socializmit e deri më sot, askush nuk e ka keqpërdorur besimin e tyre aq sa ‘misionarët’ e BDI-së dhe askush si ata nuk i ka përbuzur e nuk është tallur me shqiptarët e këtushëm!
Shkruan: Kim Mehmeti
“Lexova diku se kryetari i BDI-së paska rrëfyer për bashkëpunëtorët e tij të shqetësuar nga bisedat e përgjuara telefonike, të cilat për të na qenkan flluska!? Dhe se i paska ftuar të tjerët të maten me partinë e tij nëpërmjet vizionit, ‘të mos merren me gjëra të kota, sepse kështu nuk fitohet lëvizja e misionarëve, lëvizja që ka bërë histori, që ka ndryshuar historinë e këtij vendi’! Dhe këtë mund ta thotë vetëm njeriu që sharjet e ofendimet ndaj shqiptarëve i konsideron kotësi, ai që nuk e ka kuptuar se histori kanë bërë edhe shumë kriminelë e shkatërrues të vlerave njerëzore, ai të cilit askush nuk i ka treguar se paturpësia nuk ka kufi, se ajo të lejon të dalësh përpara popullit e t’ia kërkosh atij votën edhe pasi të të ketë ndodhur ‘Sopoti’, Enciklopedia e Maqedonisë që i përbuzë shqiptarët, ‘Monstra’, ‘Shkupi 2014’, likuidimi i Harun Aliut me shokët…, pra se paturpësia të bënë të ndjehesh hero e misionar edhe pas tradhtisë së madhe të Kumanovës, edhe pasi që grupi i tradhtuar i shqiptarëve të dënohet më egërsisht se gjithë gjeneralët e Hitlerit që masakruan qindra milion njerëz nëpër botë. Po pra, vetëm një njeri për të cilin të gjithë të tjerët, përpos atij, janë pjesë e pavlefshme e popullit, mund ta ndjejë vetveten për misionar e hero edhe atëherë kur është kapur peng nga qarqet policore e politike maqedonase, edhe atëherë kur vasalizmin e vet ndaj sunduesit duhet ta dëshmojë duke flijuar interesat e kombit të vet si dhe duke ua sharë shqiptarëve ‘shtatë qind mijë nënat’! Dhe mbase ka ardhur koha kur shqiptarët e Maqedonisë duhet ta pranojnë të vërtetën e dhembshme se, që nga koha e socializmit e deri më sot, askush nuk e ka keqpërdorur besimin e tyre aq sa ‘misionarët’ e BDI-së dhe askush si ata nuk i ka përbuzur e nuk është tallur me shqiptarët e këtushëm!”/Lajm