Kickboksieri kosovar e godet fëmijën e vet në kafkë, katër vite e gjysmë burg
20:16:27 2018-01-11
Një sportist kosovar nga Bazeli, të enjten është dënuar me katër vite e gjysmë burg nga Gjykata penale e Bauelit. Në rrahje e sipër të bashkëshortes së tij, ai e godet padashje edhe fëmijën e vet.
Marrëdhëniet në mes të kickboksierit 30-vjeçar kosovar dhe bashkëshortes së vet, kanë qenë të ngarkuara me provokime reciproke dhe ofendime. „Por, edhe dhunë“, ka shtuar kryetari i trupit gjykues, René Ernst. Nën spiralën e dhunës që kishte filluar para dasmës së tyre në vitin 2014, pësoi edhe fëmija i tyre i cili atëbotë ka qenë vetëm një foshnje.
Në korrik të vitit 2015, kosovari e rrahë bashkëshorten e cila në atë çast e mbante në krahë vajzën dymuajshe. Me këtë rast, grushti i tij e goditi edhe kafkën e foshnjes. Nga goditja rezultoi thyerje impresive me sipërfaqe prej katër centimetrave prapa kokës. „Duhet falënderuar fatit të madh që fëmija nuk ka pësuar lëndime më serioze dhe me pasoja jetësore“, ka vlerësuar gjykatësi Ernst.
Në kick boks, kosovari kishte krijuar famë duke fituar disa tituj. Megjithatë, të enjten ai u dënua me katër vite e gjysmë burg, për ushtrim të dhunës ndaj bashkëshortes, si dhe shkaktim të lëndimeve trupore. Prokuroria ka kërkuar shtatë vite e gjysmë burg.
Gjatë seancës gjyqësore, i padituri ka mohuar disa akuza, duke dhënë edhe deklarata kontradiktore ndaj bashkëshortes, shkruan „20 Minuten“, përcjellë Shtegu.com. Përkundër kësaj dhune të ushtruar, sportisti kosovar nuk do të dëbohet pas vuajtjes së dënimit,, pasi veprën e ka kryer para hyrjes në fuqi të Iniciativës për dëbim, më 01 tetor 2016.
„Po të vijojnë akte të tjera, duhet të llogaritni në dëbim“, e ka paralajmëruar gjykatësi zviceran gjatë shqiptimit të vendimit. Me këtë, karriera e kickboksierit si duket edhe ka përfunduar. (Shtegu.com)