Ka ndodhur në Zvicër: Zviceranes i vjen llogaria të paguajë katër milionë franga për rrymë
23:40:05 2017-09-21
Një zarf i rëndë i ka ardhur zviceranes Anna Lisa (26) nga Ollteni në Zvicër. Furnizuesi i saj me rrymë, ia ka dërguar një llogari prej mbi katër milionë frangave zviceranë.
Zviceranja Anna Lisa (emër i shpifur) nuk u ka besuar syve të saj kur e ka pranuar llogarinë e rrymës për këtë muaj. Furnizuesi zviceran me rrymë „Aare Energie AG“, zviceranes njëzetegjashtëvjeçare i ka dërguar llogari prej saktësisht 4.185.077,80 frangave për gjashtë muaj të shpenzimit të rrymës. „Shuma e tillë mi ngriti flokët përpjetë“, ka pohuar zviceranja për „20 Minuten“, përcjellë „Shtegu.com“. Në këtë adresë ajo ka filluar të banojë para gjashtë muajsh dhe kjo ka qenë llogaria e parë e rrymës (në Zvicër, llogaritë e rrymës vijnë çdo gjashtë muaj v.j.).
Edhe pse asaj i shkoi ndërmend se mund të jetë bërë ndonjë gabim, ajo ka pasur një ndjenjë të pakëndshme: „E hapa zarfin mbrëmjen e së premtes, në kohën kur nëpunësit për dhënie të informatave e kishin përfunduar punën“. Në këtë mënyrë, gjatë gjithë fundjavës ajo ka menduar për këtë llogari: „E bisedova çështjen me miq e familjarë, por të gjithë ishin të bindur se është ndonjë gabim dhe atyre ju dukej qesharake“.
Vetëm gjatë të hënës, më në fund Anna telefonoi tek furnizuesi i rrymës, prej nga i janë përgjigjur se bëhet fjalë për gabim. „Klientes tonë, sipas një gabimi ia kemi llogaritur nëntë milionë kilovatë orë rrymë të shpenzuara“, ka spjeguar Beat Erne, udhëheqës i sipërmarrjes. „Kjo shumë është sikur kur ndonjë sipërmarrje e madhe industriale të shpenzojë për periudhë të njëjtë“, vazhdon më tej Erne. Konsumatorët individualë asnjëherë nuk mund të shpenzojnë sasi të tillë të rrymës.
Sipas Erne, ky gabim ka ndodhur në sistemin e llogaritjes dhe ata janë duke e analizuar rastin. Por, Anna Lisa asnjëherë nuk do ta harrojë llogarinë prej mbi katër milionë frangave: „Tani kam pranuar llogarinë e korrigjuar prej 70 frangash të cilën e pagova menjëherë“, përfundon zviceranja e shqetësuar.