Islam Alijaj në garë për këshilltar nacional në Zvicër
Politikani shqiptar nga Zvicra Islam Alijaj (33), është në vlugun e fushatës së tij për kandidim në politikën zvicerane. Përndryshe, që nga lindja ai është duke jetuar me paralizë celebrale dhe tashmë nëntë vite lufton politikisht kundër paragjykimeve dhe kufizimeve, që kanë të bëjnë me personat me paaftësi shëndetësore.
Nga radhët e partisë së tij social-demokrate, Islam Alijaj është propozuar për deputet të Këshillin Kombëtar zviceran. Islami po përpiqet të ndryshojë gjendjen e personave me afftësi të kufizuara, pasi sipas tij, «ne personat me aftësi të veçanta, nga sistemi ynë nuk llogaritemi se mund të marrim përgjegjësi. Por, trajtohemi si lopët qumështore: Sa më shumë prej nesh ka në `stan`, aq më tepër para fiton», kishte deklaruar kohë më parë Islam Alijaj, informon Shtegu.com.
«Ne personat me aftësi të kufizuara nuk kemi ndonjë lobi, kjo është ajo që dua të ndryshoj. Sindikatat janë të interesuara për gjendjen e punës së përkujdesësve, por jo për ne – personat me aftësi të kufizuara nëpër punëtori, gjë të cilën unë do të doja të ndryshoja.
Kantoni dhe lobi i institucioneve po përpiqen të marrin vendime për jetën tonë, përmbi kokat tona, kjo është ajo që unë dua ta ndryshoj.
Unë nuk mund ta bëj këtë i vetëm. Ne, personat me aftësi të kufizuara, duhet të qëndrojmë së bashku dhe të angazhohemi për një pasqyrë më të mirë të aftësisë së kufizuar në shoqëri», ka deklaruar Islam Alijaj.