Histori rrëqethëse e një shqiptareje që u arratis në Francë
16:50:30 2019-06-20
Me kusht anonimiteti, pranoi të fliste në besim. E kërcënuar me vdekje në Shqipëri, ajo me familjen e saj la gjithçka. Parashtresat e saj për azil iu refuzuan. Tani, ajo ka frikë.
Është e re. E bukur. Pranoi të dëshmonte. Takimi zhvillohet në një vend publik. Ajo nuk do të zbulojë identitetin e saj. Vetëm buzëqesh, por sytë e saj janë të shqetësuar. Duart e saj e shtrembërojnë mbajtësen e çantës së saj. Emocionet e kanë kapluar, ndërsa është në kërkim të fjalëve të saj. Më në fund e thyen frikën dhe fillon. „Është një histori e imja dhe është e vërtetë“.
E la vendin e saj, familjen e saj, miqtë e saj, gjuhën e saj. E shoqëruar nga bashkëshorti dhe dy fëmijët e tyre, arratiset nga Shqipëria. „U nisëm për të mbetur gjallë. Të lësh vendlindjen është një vendim i vështirë për ta marr. Është e komplikuar të fillosh nga zero, të gjithë duhet ta dinë“.
Më pas rrëfen për lumturinë e saj në Shqipëri. „Burri im ishte elektricist, ndërsa unë studiova floktarinë. Kur u lindën, u përkushtova për fëmijët e mi. Dhe gjithçka ndryshoi“.
Ajo rrëfen, por ndonjëherë heziton. „Më vjen keq, ende nuk i di të gjitha fjalët në frëngjisht“. Theks i saj i rimon fjalitë. Ajo buzëqesh, por sytë e saj mbeten të shqetësuar.
„Kunati im ishte një kumarxhi. Ai kishte marrë hua shumë para“. Borxhlinjtë ia kërkonin të hollat, ndërsa ai nuk kishte para. „Pra, ata të cilëve iu kishte borxh shumë para, e detyruan të punonte për ta, për të kultivuar drogë. Më pas, u arrestua dhe u fut në burg. Por, borxhlinjtë nuk e linin të qetë“.
Mëtutje, ajo i tregon gënjeshtrat e kunatit të saj. „Ai u tha atyre se do ta shiste tokën e tij në Shqipëri për t’i paguar borxhet. Ishte toka në të cilën prindërit e mi kishin një fermë shumë të vogël dhe ato i përkisnin shtetit“.
Ajo gjithashtu e përkujton kohën kur borxhlinjtë vinin në shtëpinë e prindërve të saj me kërcënime. „Ata ishin shumë të varfër për t`i kthyer të gjitha paratë“. Ajo thotë se në Shqipëri, familja është përgjegjëse për borxhet e secilit prej anëtarëve të saj. „Pak ditë më vonë, këta persona sulmuan burrin tim me një pistoletë. Ata i premtuan se do të vdesim nëse nuk do ta pagunim borxhin e kunatit tim. Por, ne nuk kishim para të mjaftueshme“.
Më tej, ajo i rrëfen kërcënimet e palodhura të këtyre personave. „Ata më sulmuan mua dhe djalin tim, të cilin ata e tronditën. Më pas më kërcënuan se do të ma rrëmbenin edhe vajzën time“. Ajo mban mend se ishte mbyllur me fëmijët e saj. „Ne nuk dilnim më askund“.
Atë ditë e përkujton me emocione të mëdha, shkruan „La Depeche“, përcjell Shtegu.com. „Isha vetëm. Dikush u paraqit kinse për të kontrolluar matësin e energjisë elektrike. E hapa derën. Ishin ata. U përpoqa të mbyllja derën, por ata ishin më të fortë se unë. Ata erdhën dhe ma futën një thikë nën fyt“. Zëri i saj ngulfatet. „Dhe ata më përdhunuan.“ Një emocion tjetër ia ngulfati fytin, duke tentuar t`i ndal lotët e saj. Më pas vazhdon me një buzëqeshje, por sytë e saj ende janë të vrerë. „Isha si e vdekur. Më vjen turp. Në Shqipëri, gratë e përdhunuara akuzohen se vet kanë kërkuar“. Ajo thotë se e kishin preokupuar mendimet negative. „U ngjita në krye të ndërtesës për t`u hedhur poshtë. Doja të vdisja“. Por, përnjëherë e dëgjoi zërin e vajzës së saj. „Hoqa dorë. Nuk mund t`i lija fëmijët e mi pa nënë“.
Rrëfen edhe për heshtjen e saj. „Asgjë nuk i tregova burrit tim. Kam frikë se do ta humbas. Kam frikë nga reagimi i familjes sime. Unë nuk shkova të vizitohem te mjeku. Doja që ky përdhunim të mbetet sekret“. Burri i saj është ende në errësirë. Ajo ka frikë. Ajo nuk dëshiron ta thyejë dashurinë që i bashkon ata.
„Kam këmbëngulur shumë për të shkuar jashtë vendit. Isha aq e frikësuar për fëmijët e mi. E dija se këta njerëz do të ktheheshin dhe do të përfundonin duke na vrarë“. Ajo kujton fluturimin në Itali. „Burri im atje kishte një kushëri“. Dhe udhëtimin me autobus që i solli në Francë një ditë maji të vitit 2018. „Ky është një vend mikpritës“.
Nuk heziton të përmend se tre netët e para i kishin kaluar në një rrugë Montalban. „Thërrisja për çdo ditë në numrin 115, por nuk kishte vend në ndonjë qendër strehimi“. Me falënderime të përzemërta i përshëndet banorët e Montalbanit që e mirëpritën për disa ditë, javë. „Parashtresa jonë për azil u refuzua dy herë“. Tani, ajo ka frikë.
„Nuk duam të kthehemi në Shqipëri. Atje na pret vdekja. Asgjë nuk është zgjidhur“. Jeta është këtu, në Montauban. „Fëmijët e mi janë duke vijuar mësimet në shkollë dhe ndjehen francezë. E harruan theksin shqiptar. Dhe unë, të gjitha forcat e mia i kam vënë në dispozicion për t`u bërë francezë. Këtu jemi të sigurt. I lutem zotit që të qëndrojmë“. Por, ajo ka frikë.